Deputetë nga radhët e partive politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, inkurajojnë qeverinë që të përshpejtojë me procedimin e projektligjit për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në forcë me mision ushtarak.
Përfaqësuesit e partive politike nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje vlerësojnë se Kosova është e gatshme për ushtrinë e saj. Andaj, sipas tyre, transformimi i FSK-së, nga misioni civil në atë ushtarak duhet të ndodhë sa më parë. Këto komente, deputetët nga partitë politike i bënë gjatë tryezës së organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me temën:- “Si të procedojmë me formimin e ushtrisë?” Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, ka paralajmëruar qeverinë se nëse ajo vonohet me procedimin e projektligjit, një gjë të tillë do ta bëjë ai vet. “Jemi në një situatë të palakmuar, sepse askush nga ekzekutivi nuk po e merr guximin për të deklaruar një qëndrim. Por, çkado që ata bëjnë i kanë 30 ditë afat [për procedim]. Nëse brenda këtyre 30 ditëve vonohen, atëherë ne do ta marrim nismën përmes deputeteve, anëtarëve të komisionit, sepse këtë e lejon edhe rregullorja e Kuvendit edhe Kushtetuta”, ka thënë Haradinaj. “Por, e mira e të mirës do të ishte që ai ligj të sponsorizohet nga ekzekutivi”, ka deklaruar ai. Haradinaj tha se qëllimi nuk është që Kosova t’i dëmtojë raportet me faktorin ndërkombëtar, por sipas tij, Kosova ka nevojë që të krijojë një mekanizëm mbrojtës. “Gjithmonë ne po themi se do të jemi partner. Do të jemi anëtar të NATO-s. Por, me çka do të jemi anëtar të NATO-s?! Nuk mund të jemi anëtar të NATO-s, derisa nuk kemi krijuar komponentin, në këtë rast Forcën e Sigurisë”, tha Haradinaj.
Ai ka pranuar se Kosova nuk mund ta themelojë ushtrinë përmes ndryshimeve kushtetuese, për shkak të mospërkrahjes nga Lista Serbe, andaj edhe po shkohet me planin B, përkatësisht që kjo çështje të përmbyllet me ndryshimet ligjore. Ndërkaq, Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie më Publikun në Ministrinë e Forcës së Sigurisë, tha se me dorëzimin e projektligjit nga presidenti në qeveri, procesi për transformimin e FSK-së do të përshpejtohet. Sipas tij, ky proces tash është i pakthyeshëm dhe se ministria ka formuar grupe të cilat do ta shqyrtojnë atë brenda afateve të parapara ligjore. “Ministria ka krijuar grupin e veçantë për dhënien e opinioneve për projektligjin, për hartimin e deklaratës financiare dhe për plotësimin e formularit për harmonizimin e ligjeve të FSK-së me legjislacionin e Bashkimit Evropian”, tha Shala. Në tryezë, foli dhe deputetja Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ajo tha se formimi i ushtrisë është një proces thelbësor për vendin. Sipas saj, që nga koha e zbatimit të pakos së presidentit Ahtisaari (dokumenti gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës) një prej qëllimeve ishte që nëse deputetët serbë e bllokojnë shndërrimin e FSK-së në ushtri me anë të Kushtetutës, procesi të vazhdojë më anë të ligjeve. Ajo ka thënë po ashtu se Kosova nuk mund të pres ndryshimin e politikave në rajon për të formuar ose jo ushtrinë e saj. Osmani konsideron se veç Serbisë, në rajon nuk ka kundërshtime për ushtrinë e Kosovës. “Është ditur se Serbia do ta kundërshtojë në çdo moment. Ne nuk mund të presim që atje të ndryshojë retorika kundër pavarësisë së Kosovës. Pra, kur po thuhet se nuk është momenti në rajon, unë mendoj se është një vlerësim i gabuar. Kroacia dhe Shqipëria i kanë shkruar letër NATO-s në përkrahje të këtij procesi”, ka thënë Osmani. “Unë nuk besoj se Mali i Zi apo shtetet e tjera në rajon kanë ndonjë arsye të jenë kundër transformimit të FSK-së në ushtri. Pra, po mbetet vetëm Serbia. Të kualifikohet tërë rajoni vetëm në bazë të qëndrimeve të Serbisë, unë mendoj se është një gabim i madh”, tha Osmani.
Ndërkohë, deputeti Rexhep Selimi nga radhët e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, tha se institucionet e vendit, në pamundësi për të bërë ndryshimet Kushtetuese, duhet të shkojnë përpara me Ligjit për FSK-në. Ai theksoi se Kosova është e gatshme për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) dhe se ekziston konsensusi politik për ta bërë këtë. Megjithatë, Selimi tha se për shkak të politizimit të kësaj çështje dhe mos koordinimit të duhur ndërmjet forcave politike, kanë ardhur edhe reagimet e ndryshme, përfshi edhe ato negative. “Ka munguar koordinimi dhe mendoj se pikërisht politizimi dhe përvetësimi ka rrezikuar koordinimin dhe pastaj ka ardhur pasoja e mospajtueshmërisë të tyre. Në anën tjetër me sa kemi parë, ka munguar edhe koordinimi ndër institucional. Ne kemi deklarata të ndryshme të ministrit dhe kryeministrit”, tha Selimi. Ndërkohë, Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht dilemat për formimin e ushtrisë janë te mbështetja bilaterale nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe dhe për këte mund të ketë vonesa në procedimin e ligjit.
“Unë mendoj se në parim ka një kohezion politik në këtë drejtim. Nuk ka kundërshtime, ka frikë për mospajtimin e disa akterëve ndërkombëtarë, në këtë rast në baza bilaterale. Nuk është këtu çështja e NATO-s, sepse NATO edhe ashtu ka status neutral në raport me Kosovën, por dilema është në mbështetjen e SHBA-s dhe Britanisë së Madhe”, tha Qehaja. Projektligji i presidentit Hashim Thaçi, që fillimisht iu dorëzua kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, u procedua në Qeverinë e Kosovës, ndërkohë që partneri në koalicion LDK, i dha përkrahjen me kërkesën për bashkërendim me SHBA-në”. Aktualisht, projektligji nuk është proceduar ende në Kuvend. Shndërrimi i FSK-së në forcë ushtarake përmes ligjit, nuk është mbështetur nga NATO- dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë. Të dyja, kanë inkurajuar institucionet e Kosovës që transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese. Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si iniciues i kësaj nisme, ka deklaruar se ndryshimet kushtetuese janë të pamundura, pasi që deputetët serbë nuk do ta mbështesin në asnjë rast themelimin e ushtrisë së Kosovës.