Deputetët e Kuvendit të Kosovës llogaritet se kanë paga të mira dhe të ardhura shtesë.
Krahasuar me pjesën tjetër të popullatës, deputetët mund të llogarisin në pagesën për secilin angazhim, qoftë nëpërmjet pjesëmarrjes në seanca plenare, në mbledhjet e komisioneve dhe kompensimet për udhëtimet jashtë apo brenda vendit. Të 120 deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveç pagës mujore prej rreth 1500 eurosh në muaj, gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre. Për dy seanca gjatë muajit, ata marrin 240 euro. Kurse, për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare, fitojnë shtesa prej 160 eurosh. Kështu, si tërësi, të ardhurat mujore të deputetëve, përfshirë edhe mëditjet, arrijnë apo edhe e tejkalojnë shumën prej 2000 eurosh. Pavarësisht, këtyre kompensimeve, në bazë të projektligjit të ri për pagat, të cilin e posedon Radio Evropa e Lirë, të miratuar nga Qeveria e Kosovës, në nenin 19, ku flitet për kompensimin e pagave, është shtuar një pikë ku propozohet “të rriten kompensimet për pjesëmarrje në seancë dhe komisione parlamentare për deputetët, deri në 20 për qind të koeficientit të pagës bazë”. Në bazë të këtij projektligji, deputetët, për seanca plenare do të marrin nga rreth 300 euro. Shoqëria civile dhe disa deputetë të partive në pozitë dhe opozitë, e kanë kundërshtuar këtë projektligj, pasi e konsiderojnë të padrejtë rritjen e kompensimeve për këtë kategori. Instituti Demokratik i Kosovës bën monitorimin e rregullt të punës së legjislativit. Përfaqësues të këtij Instituti thonë se duhet të pritet versioni përfundimtar, i cilin do të arrijë në Kuvend, në mënyrë që të analizohet dhe të jepet një pasqyrë më e qartë, nëse bëhet fjalë për rritje të pagës bazë apo mëditjeve apo edhe zvogëlim të pagës së deputetëve.