Pjesa dërrmuese e deputetëve të PD të qarkut Shkodër konfirmojnë se do të marrin pjesë në protestën e 7 korrikut të organizuar nga kreu i PD Sali Berisha. Kështu deputetët Greta Bardeli, Emilia Koliqi dhe Zef Hila shprehen se më 7 korrik do jenë në protestë kundër qeverisë së Edi Ramës pasi populli shqiptar sipas tyre ndodhet në vështirësi.
Të pyetur nëse pjesëmarrja e e tyre do të thotë një rreshtim përkrah Sali Berishës, deputetët e PD të qarkut Shkodër as nuk e pohojnë dhe as nuk e mohojnë një gjë të tillë duke thënë se ata janë me PD-në e vërtetë dhe popullin shqiptar por pa e cilësuar se me cilën PD, atë të Berishës apo kreut të grupit parlamentar demokrat Alibeaj.
Pritet që në protestën e 7 korrik përveç deputetëve të PD Greta Bardeli, Emilia Koliqi dhe Zef Hila të jetë edhe deputeti Helidon Bushati ndërsa është ende e paqartë nëse do të marrë pjesë deputeti demokrat i Malësisë së Madhe Ramadan Lika. Ndërkohë një pjesë e deputetëve të PD që mbështesin Alibeaj kanë mohuar se do jenë pjesë e kësaj proteste duke treguar se demokratët vijojnë të jenë të përçarë.