Mbledhja e djeshme e komisionit hetimor për Sterilizimin, ku ish-ministri Beqja u fut në sallë për të debatuar me deputetët e opozitës, ishte temë kryesore edhe në seancën plenare.

Deputetja demokrate, Ina Zhupa tha se Beqja i kërcënoi gjatë mbledhjes dhe policia e burgjeve dhe Garda nuk zbatuan protokollin për ta ndaluar ish-ministrin për të hyrë pa leje në mbledhje.

Ndërkohë sipas deputetit socialist, Toni Gogu, PD-ja nuk e lejoi Beqjan të jepte dëshminë e tij pasi kishte frikë ta dëgjonte.

Debati

Gogu: E mirëkuptoj tërësisht tolerancën tuaj për ti dhënë kohë opozitës zonja kryetare. Nëse je i interesuar për të vërtetën dëgjo dëshmitarët dhe mos i lër 48 orë në Kuvend dhe mos u tremb nga Power Point. Mos u trembni. Sa i përket pretendimit që konferenca e kryetarëve na paska vendosur gabim, ndërkohë që kërkesës së Komisionit i mungonit të gjitha kërkesat formale, komisionet janë autonome. Kur komisionet nuk vendosin, vendos seanca. Në rastin konkret nuk kishte vendim nga Komisioni, por kërkesë të 7 deputetëve. Ju jeni të interesuar për audiencë politike, jo për të vërtetën. Dëshmitarin kryesor nuk e dëgjoni se keni frikë, por kërkoni dëshmitarë ekstra.

Ina Zhupa: Parlamenti ka rënë, deputetët e opozitës janë kërcënuar ndërkohë që po kryenin funksionet parlamentare. Asnjë dëshmitarë edhe i lirë qoftë ai nuk lejohet të hyjë në sallën që zhvillohet mbledhjet pa e thirrur kryetarja e komisionit. Keni 100 gardistë që nuk lejohen të hyjnë as deputetët pa leje. Policia dhe gardistët nuk e ndalonin dot Ilir Beqajn se duke qenë dy metra dhe shoku i Ramës e ngatërruan me Ramën dhe nuk e ndaluan. Beqaj livadhiste i lirë dhe i jepte urdhëra gardës dhe deputetëve të mazhorancës se çfarë do bënin dhe si do ia bënin.

Na bën edhe status për kushte çnjerëzore, çfarë kushtet i keni krijuar atje në burg që i dukej Kuvendi ç’njerëzor. Vinte dhe kërcënonte me ‘mbylle gojën; qepe ti; ta tregojë unë ty; kush je ti?’. Duhet të vazhdojmë parlamentin pasi ne nuk kemi siguri në parlament.

Me këtë logjikë zonja kryetare, ju sot nuk keni moral të bëni këtë seancë plenare, duhet ju si kryetare të kërkoni vënien para përgjegjësive të policëve të burgjeve.

E dini ça na tha polici? ‘S’ka furgon këtu, skam ku ta çoj, s’kam mjetet e duhura’. Ishim në mëshirë të hajdutit dy metra. Unë kam telefonuar komandantin e gardës për të sjellë një gardist atje. Vetëm një kishin lënë dhe erdhi pasi u bë sherri dhe pasi ishim kërcënuar. Ne do të hetojmë doni apo s’doni. Ne nuk na kërcënon dot Rama jo më Beqaj. Ne na keni përballë dhe në betejë, nuk bëjmë asnjë hap pas.

Artikulli paraprakDEBAT NË NISJE TË SEANCËS/ NOKA: PO MBRONI BEQAJN, HAJDUTIN 2 METRA! SPIROPALI: JU TËRHEQ VËMENDJEN! PO SHKELNI ETIKËN
Artikulli tjetërRIGJENERIMI I PYJEVE NË LEZHË