Pas 25 vitesh krah te djathtes deputetja Mesila Doda largohet nga Partia Demokratike. Përmes një letre të hapur të cilën e ka postuar në profilin zyrtar të saj në Facebook, deputetja Doda thotë se largohet me keqardhje nga partia të cilën e bashkëthemeloi me të djathtët 25 vite më parë.
Pavarësisht se “de juro” nuk pati një përjashtim të saj nga PD-ja, Doda thotë se është përjashtuar “de facto” nga kreu i grupit parlamentar Edi Paloka, menjëherë pasi deputetja, ndryshe nga grupi i saj, votoi në Kuvend për heqjen e imunitetit të deputetit Tom Doshi. Këtë përjashtim Doda e ka ndjerë edhe gjatë zgjedhjeve lokale të 21 qershorit ku Paloka nuk e përfshiu në fushatën e Tiranës, shtuar këtu humbjen e doktor Halimit, të cilin e cilëson si mikun e saj, ku fajëson drejtuesit më të lartë të PD-së për rezultatin në garën e tij elektrorale me Erion Veliajn.
Në sytë e Dodës tashmë në PD mbretëron klientelizimi, ndërsa humbja e zgjedhjeve sipas saj nuk u analizua kurrë.
“Ndryshoni qasje ose do rithemelojmë të djathtën që e dërrmuat JU”, – thotë Doda.
Deputetja “rebele” e së djathtës thotë se në 2 vitet e fundit ka thënë të vërteta të hidhura të papranueshme për shumëkënd.
Letra publike e deputetes Mesila Doda
U bë një kohë jo fort e shkurtër, që jam shprehur pak në publik, dhe më së pari dua t’i kërkoj ndjesë miqve të mi të medias, pasi gjatë kësaj kohe kanë marrë refuzime të shumta për biseda dhe intervista. Koha për njerëzit e politikës është e pazakontë, rend me shpejtësi krejt tjetër, kthehet jo rrallë në makth, ndaj mundohemi ta shfrytëzojmë sa më shumë e më mirë për të thënë ato që mendojme e ato që s’mendojmë e na ndodh rrallë të bartim me dëshirë mëkatin e heshtjes.Ky i fundit është bërë thuajse një gjendje e dytë për mua këto kohët e fundit, e padetyruar nga askush, por si një kërkesë e unit tim për të reflektuar thellë e për të folur me një zë, përfundimisht e në kohën e duhur. Kjo, sepse gjithçka thashë në më shumë se dy vite, qëlluan të ishin të vërteta të hidhura të papranueshme për shumëkënd, e për pasojë edhe të dënueshme me të vetmin stil që njohim atë të armikut, i cili fillimisht duhet injoruar, më pas përçmuar e më pas akoma me trajtesën: “ta vëmë në kamaren e turpit e aty t’i qasim çakejtë që lehin, pështyjnë, e godasin”… (mjafton që këtyre të fundit t’i dalë cullufja përtej gardhit ku mund ta rrokë vështrimi i shefit)…rrugë e njohur edhe për shumë zëra të tjerë perpara meje, edhe më të fortë se unë, po tek e fundit ç‘rëndësi ka…si në këtë kohë dhe në atë kohë të jesh individ i lirë, aq i lirë sa të mos njehsohesh me mendimin, dashurinë, përzgjedhjen, urrejtjen dhe deduktimet njerëzore e politike të grupit që t’i i përket është profani, aq e madhe sa ty të vetëpërjashton nga ky grupim.
E nisa këtë përsiatje me një qasje krejt të brendshme e personale, sepse kjo është ecja që unë kam kryer gjatë kësaj kohe, në një terren të brendshem e reflektiv, brenda të cilit isha në të drejtë dhe brenda çdo logjike normale njerëzore në deklarimet e mia publike, të cilat kanë patur vetëm një qëllim, rikthimin e komunikimit publik të Partisë Demokratike në vërtetësi, larg klisheve e gënjeshtrave që recituesit e mirë a të këqinj nuk arrijnë ta fshehin, drejtimi në një bosht ideologjik e të sinqertë të një të djathte të re e moderne, të bazuar në mbrojtjen e kapitalit, pronës, dekomunistizimit e kujtesës historike, ruajtjes dhe mbrojtjes së posaçme të strukturës së familjes shqiptare, gruas e fëmijës dhe mbi të gjitha një qasje tjetër agresive e të papranueshme ndaj korrupsionit, jo thjesht si një fenomen bashkëshoqërues, por si një akt i rëndë antikombëtar që do e lërë gjithherë vendin tonë mes kombeve të pazhvilluara e të varfëra dhe do vazhdojë të thellojë hendekun që sot bëjmë sikur nuk e shohim, mes një kaste që drejton dhe një populli që pëson.Për fat të keq asnjë nga mesazhet e mia të kësaj kohe nuk u pranua apo u çmua nga drejtimi i ri i PD. Ka ndodhur shpesh që qëndrimi i mbajtur prej meje për çështje të rëndësishme si armët kimike, heqja e mandateve të grave si pikenisje e procesit te denoncimit te penetrimit të krimit në parlament, kërkesa publike për ruajtjen e mandateve te grave parlamentare dhe dekriminalizimi me çdo kusht i Kuvendit, refuzimi i bojkotit si një praktikë jo e mirë për vendet që kërkojnë rrugën europiane të progresit dhe integrimit, cuarja përpara e procesit për hapjen e dosjeve edhe kur kundërshtari dëshiron një proces gjysmak e diskriminues në mënyrë që ti të japësh platformën dhe këndvështrimin tënd për një çështje jetike për të djathtën dhe antikomunizmin shqiptar, është anatemuar, goditur publikisht e më pas gëlltitur në heshtje. Por, qysh kur unë votova në përputhje me ndërgjegjen time njerëzore e politike për heqjen e një imuniteti erdhi rradhazi edhe përjashtimi im nga fushata e Tiranës, përjashtimi nga struktura parlamentare, me urdhër personal të kryetarit të grupit.
Tashmë kjo ka pak rëndësi, sepse po vazhdoj të flas per një optikë e histori personale, e cila nuk ngre peshë në krahasim me impaktin publik që krijohet, kur ndërthurja dhe pasojat e qëndrimeve kokëforta, hipokrite, joprofesionale e jopolitike patën një pasojë të rëndë, të paperceptueshme për këdo që jeton në këtë vend. Une nuk jam e kënaqur, nuk jam aspak e lumtur jo për humbjen, por për thyerjen e madhe që ndodhi në zgjedhjet e fundit vendore…fati e desh që të mos jem pjesë e kësaj humbje dhe bjerrje, ku e çoi marrëzia e arbitraritetit, por nuk kam asnjë dyshim se prania ime do mund të sillte rezultat tjetër për mikun tim, dr.Halim Kosoven, i cili bashkë me shumë kandidatë të tjerë mori padrejtësisht frytet e një punë jo të mirë të bërë për dy vjet rresht nga drejtuesit e lartë të PD. Kjo është arsyeja pse kam heshtur përgjatë kësaj kohe, e bindur se më së fundi do kish një reagim serioz, të vërtetë, normal e rirregullues per jetën politike dhe qasjen publike të PD. Me sa duket pritshmëria ime ishte edhe kësaj here krejt e pavend. Analiza e humbjefitores nuk shkandulliti kënd…kur them këtë nuk prisja as kokëprerje e as armiqësi si ato që lindën e u përplasën pa mëshirë para dy vitesh, por më së paku një komunikim normal njerëzor së pari mes veti dhe më pas me publikun, për të fuqizuar një forcë që duket e drobitur nga një konfuzion i brendshëm, pa mendim politik, vizion e kod besimi mes pjesëve të saj.
E gjetur në këtë udhëkryq ku mungon çdo lloj komunikimi e bashkëpunimi reciprok, e përjashtuar de facto nga veprimtaria politike e deputetit, më duhet të lajmëroj veprimet e mia më të fundit të shkëputjes së marrëdhënieve formale me grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Pas këtij komunikimi aspak të lehtë për mua, më duhet të siguroj të gjithë votuesit se çdo propozim që PD do sjellë në Kuvend e që do jetë në funksion të reformave dhe shtetit ligjor, në përkrahje të shtresave në nevojë dhe shtresave tradicionale të djathta, do përkrahet e votohet pa asnjë mëdyshje nga unë. Votimi im, ashtu si deri më sot do vazhdojë të jetë vetëm në përputhje me ndërgjegjen time qytetare, politike e njerëzore dhe nuk do ndikohet në asnjë rast nga vendime partiake, arbitrare a të ndikuara nga interesa. Pozicioni im do vazhdojë të jetë në zhvillimin e rritjen e së djathtës moderne, monopolin e së cilës nuk e ka kush dhe të mundësojë krijimin e një politike që sheh nga paqja, kohezioni social, nga rritja dhe progresi i vlerave njerëzore dhe ekonomike, nga fuqizimi I gruas dhe kombit si dy krahë që rriten së bashku.
Për ta përmbyllur këtë shpjegim të mbramë, tek e fundit besoj se une e bëra betejen time për sjelljen e nje fryme te re komunikimi mes njerzve politik të së djathtës dhe me sa duket gjithe tezat e mia politike e qe mund te sillnin bazat e nje te djathte te rikonceptuar moderne, ku individi te ishte qendra e jo fundi, u konsideruan tema armiqsore. Bashkimi i ri i interesave dhe karrierave të reja, që i lidh pak apo aspak afeksioni për te djathten historike dhe Levizjen e Dhjetorit, ka arritur të zëvëndësojë ideologjine, respektin dhe kujdesin per tu ruajtur nga cdo forme diktature, me klientelizmin e njohjeve te ngushta larg perzgjedhjes dhe kriterit politik te veprimit. Dhe gjith ky mish mash, pelqimesh pa merite, urrejtjesh pa shkak, fyerjesh e zhberjesh personalitetesh pa asnje shkak do sillnin dhe do vazhdojne te sjellin nje konfuzion nga i cili mund dhe po merr fuqi vetem qeverisja, e cila ne kushte të një opozite tjetër nuk do mundej kurrsesi te ecte kaq gjate, me nje bilance kaq negativ në shpinë.
Tek e fundit, unë nuk do vazhdoj më të merrem me argumentet pro dhe kundër të asaj qe ndodhi apo do ndodhi ne PD me vonë. Largohem me keqardhje nga nje Parti që e krijuam bashkë me studentë dhe pedagogë 25 vjet më pare, por qe sot e shoh te rithemeluar larg kontekstit, boshtit dhe qellimit politik per te cilin u krijua. Tash është klientelizmi mbret i situates se re dhe shpresoj fort që njerzit politikë që ende po rezistojnë edhe për pak, të arrijnë të kthjellojnë individët përgjegjës për dëmin e madh që po shkaktojnë. Shpresoj që edhe ky largim do i shërbejë vendimarrësve partiak të kenë nje qasje tjetër ndaj figurave të vërteta politike, burra e gra të mencura që i shoh shpesh kur fyhen, anashkalohen, anatemohen e sulmohen me dhe pa intriga, për të vetmen arsye sepse ende nuk kanë pranuar kodin e heshtjes dhe pranimin e disfatës së rradhës.
Nëse jo, do duhet të shihemi jo shumë shpejt, kur ta kuptoni qe zgjerimi dhe pranimi i tjetrit si i ndryshëm me ty është fuqi, dhe të vendosni që gjithe ata që s’i deshet e që qëndruan si njerëz me dinjitet përballë do duhet të krijojnë së bashku me ju e si të barabarte edhe më shumë se ju, rithemelimin e së djathtës që e dërrmuat JU.