Një mbrëmje me këngë e humor erdhi si kartolinë urimi nga estrada e Shkodrës e cila festoi 65 vjetorin dhe po synon ringritjen e saj duke alternuar emrat e mëdhënj me brezin e ri. Shfaqja variete “Gaz Paç o Moj Shkodër” në teatrin “Migjeni” dhuroi të qeshura dhe emocionet e ritmeve të muzikës.

Kolosët e humorit si Zyliha Miloti, Besnik Çinari, Drande Xhai dhe Edmond Halili bashkë me të rinjtë Fritz Selmani, Ketlin Pjalmi, Savana Vjerdha, Aleksandër Prenga, Nikolin Ferketa, Lusi Bregu e të tjerë përmes parodive, skeçeve formuan një ansambël që Shkodrës prej kohësh i kishte munguar.

Për Edmon Halilin sa herë që rikthehet në qytetin e tij emocioni është i madh ndërsa ndjehet krenar sepse estrada e Shkodrës është e vetmja që ka mbijetuar në gjithë teatrot e Shqipërisë.

Fritz Selmani, aktori që po shkëlqen qoftë në dramë por edhe me estradën thotë se është përgjegjësi e madhe mbi supe të trashëgosh artin e një trupe që kanë bërë epokë.

Shfaqja variete “Gaz Paç o Moj Shkodër” në këtë fundvit dhe në 65 vjetorin e themelimit të estradës profesioniste të Shkodrës u pasurua edhe me disa prej këngëtarëve më të mirë të qytetit.

Artikulli paraprak“KLASIKJA” TIRANA-VLLAZNIA NË FOKUSIN E “STAR SPORT”
Artikulli tjetër“ISLAMIC RELIEF” DHURON 7 AUTOAMBULANCA