Dërgoi shqiptarët në Angli, dënohet me burg shoferi rumun
Një shtetas rumun, Vasile-Viorel Grosu, 37 vjeç, është dënuar nga një gjykatë britanike, pasi tentoi të fuste tre shqiptarë nga Franca drejt Britanisë. Gjyqtari Brian Foster ka dhënë dy vjet burg për të, ndërsa vetë shoferi rumun ka thënë në gjykatë se nuk e dinte se kjo gjë ishte e paligjshme dhe se oferta i ishte bërë nga një bullgar. Ai tha se shuma për të kaluar 3 shqiptarët, dy gra dhe një burrë, ishte një shumë e konsiderueshme. “Ju e bëni këtë për përfitime financiare dhe ata që keni tentuar të sillni nuk janë anëtarë të një familje, ata ishin njerëz që ju nuk i njihni”, tha gjyqtari. Shqiptarët u gjetën të fshehur në kamion të mbuluar me batanije. Tre shqiptarë u dëbuan përsëri në Shqipëri më 6 nëntor. Nick Jupp, nga zyra e Imigracionit dhe Hetimet Penale, tha: “Në qoftë se Grosu nuk e ka kuptuar këtë vepër penale, dënimi me burg i dhënë nga gjykata t’i bëhet mësim”.