Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda lë në burg 39 të arrestuarit e akuzuar për trafik klandestinësh drejt Kanadasë dhe Amerikës.
Flitet për 1 mijë shqiptarë që janë dërguar në këto shtete me dokumente të falsifikuara.
Kur u prezantuan rezultatet e operacionit “porosia e fundit” më 10 mars 2018, policia tha se flitet për një grup të mirëorganizuar që merrej me favorizimin e migracionit të paligjshëm.
Por njëri prej të arrestuarve Besnik Vuçaj pretendoi sot në gjykatë se është arrestuar gabimisht.
Madje për ta vërtetuar se nuk ka lidhje me këtë grup ai thotë se nuk ka pasur asnjëherë pasaportë dhe nuk ka dalë asnjëherë jashtë Shqipërisë.
Vuçaj pretendon se ka të njëjtin emër dhe mbiemër me të njëjtin person që jeton në Irlandë.
Më 10 mars 2018 kur policia deklaroi emrat e personave të arrestuar ishte dhe emri Besnik Vuçaj, 49 vjeç, lindur në Shkodër, por rezident në Irlandë.
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë ‘burg’ për 39 të arrestuarit.