Kur kanë kaluar pothuajse një muaj nga grabitja e Rinasit, Krimet e Rënda kanë kërkuar ndalimin e 5 personave, pjesëtarë ICTS (kompania e sigurisë në Aeroport) dhe bankave.
Urdhri i ndalimit për këta pesë punonjës është bërë pasi mbi ta rëndon akuza për shpërdorim detyre.
Burime bëjnë me dije se 5 punonjësit kanë dhënë dëshmi kontradiktore, ç’ka ka bërë shtuar dyshimet e hetuesve se kanë ndihmuar Admir Muratajn me shokë, me informacione mbi transportin e parave dhe lëvizjen e punonjësve të sigurisë në Aeroport. Identiteti i tyre nuk bëhet i ditur, për shkak të sekretit hetimor.
Deri më tani janë arrestuar disa persona që kanë qenë në pistë, bashkëpunëtorë të tyre, dhe personi që modifikoi furgonin Alkond Bengasi që është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, i cili ka zbërthyer thuajse të gjithë grupin.
Në pranga kanë rënë Ragip Hajdini, Alkond Bengasi, Oltjan Veseli, Saimri Cela, Renaldo Sula dhe Elton Pikli. Në kërkim janë vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, Talo Çela, Aleks Pepa dhe dy ish efektivë policie, një mashkull dhe një grua.