Bashkëshortja e Fasli Hykës, Hyrije Hyka, 83 vjeçe ka dëshmuar se si burri i saj qëlloi në drejtim të tre të rinjve të cilët i shpëtuan plumbave. 83 vjeçarja rrëfen se bashkëshorti i saj Fasli Hyka dëgjoi disa zhurma pas mesnate që vinin nga rruga dhe po i shqetësonin dy të moshuarit. Në atë moment ka telefonuar policinë duke i kërkuar që të vinin për të vendosur qetësinë. Pa kaluar shumë kohë 83 vjeçarja e cila ndodhej në shtrat në atë moment tregon se dikush e ka sharë burrin e saj i cili ka marrë çiften më pas duke qëlluar në drejtim të tyre.

Bashkëshortja e 83 vjeçarit që u arrestua nga FNSH pasi u neutralizua brenda banesës në operacionin që zgjati 3 orë e gjysëm, thotë se burri i saj deshi të dorëzohej në polici në orët e mëngjesit ndaj edhe nuk pranoi më përpara derisa u arrestua pas ndërhyrjes nga efektivët.

Fasli Hyka sipas bashkëshortes së tij përveç punëve normale gjatë regjimit të komunizmit ka punuar edhe në sigurimin e shtetit si agjent vullnetar.

83 vjeçarja është e vetme në shtëpi tashmë pas arrestimit të burrit të saj ndërsa lëviz me shumë vështirësi për shkak të disa sëmundjeve që ka.

Çifti i të moshuarve jetojnë prej vitesh të vetëm në shtëpi ndërsa autori i dyshuar Fasli Hyka ka një djalë nga martesa e tij e parë. Hyrije Hyka do ta ketë të vështirë ta përballojë jetesën e vetme për shkak të sëmundjeve që ka dhe se nuk mund të dalë nga shtëpia.

Artikulli paraprakKALAJA E DRISHTIT E HARRUAR NGA INSTITUCIONET
Artikulli tjetërI MOSHUARI QËLLON NGA BALKONI, 3 ORË OPERACION