Dy ditë pas arrestimit të terroristit që vrau 39 persona natën e ndërrimit të viteve në Stamboll

, media turke ka publikuar dëshminë e tij rrëqethëse, ku tregon nga e ka marrë urdhrin, si nuk ia doli të sulmonte Taksim-in dhe pse vendosi të sulmojë klubin e natës Reina. Guvernatori i Stambollit, Vasip Sahin, tha se terroristi quhet Abdulkadir Masharipov me emrin e koduar Ebu Mohammed Horasani. Ai është lindur në Uzbekistan në vitin 1983. “Ai ishte i mirë-përgatitur, i arsimuar dhe dinte katër gjuhë të huaja,” tha Sahin, i cili shtoi se terroristi kishte hyrë në Turqi në Janar të vitit 2016. Këtë e konfirmon edhe vetë Masharipov, i cili në dëshminë e tij me gojë u tha autoriteteve turke se në Turqi kishte hyrë nëpërmjet Iranit në janar të vitit 2016. “U vendosa në Konja. Përgjatë një viti që isha atje lidhesha në telefon me Rakkan (kryeqendra e ISIS-it). U urdhërova që natën e vitit të ri të kryeja një sulm vetëvrasës në Taksim. Pas këtij urdhri u zhvendosa në Stamboll. U dërgova pamjet zbuluese nga Taksimi dhe ata më thanë që sulmi aty do sillte zhurmë të madhe. Por, me të parë masat e rrepta të sigurisë në Taksim për vit të ri hoqa dorë nga sulmi atje.” Më tej, ai tha se “kam komunikuar me personin e quajtur Hoxha Aka (emër i koduar i një komandanti të ISIS-it, përgjegjës për Stambollin). Ai më kërkoi të gjeja një objektiv të ri në zonë. Mora një taksi dhe u solla në qytet rreth orës 22:00. Gjatë turit në qytet pashë që klubi Reina ishte i përshtatshëm për sulm. Nuk vëreheshin masa të rrepta sigurie. U lidha serish në telefon me personin (komandantin e ISIS-it) dhe i thashë se klubi Reina është i përshtatshëm për sulm. Më të pranuar edhe ai mora armën tek shtëpia ku qëndroja dhe shkova tek Reina ku kreva sulmin pas mesnate.” Pyetjes se përse kishte vendosur të sulmonte Reinan, terroristi iu përgjigj “Sulmova atje sepse ata ishin jobesimtarë.” “Vrava edhe dy policët tek dera sepse ata më qëlluan përpara. S’mund të hyja brenda pa i vrarë ata.” Masharipov po ashtu tha se në vitin 2015 kishte qëndruar një muaj në burg në Iran pasi ishte arrestuar me pasaportë false. Pas sulmit që la 39 të vdekur dhe 70 të plagosur, Masharipov ia doli të qëndronte në arrati për 16 ditë. Ai u largua nga brigjet e |Bosforit ku kreu sulmin për në Esenyurt, rreth 40 kilometra larg vendngjarjes, ku u arrestua mbrëmjen e së hënës. Media turke raporton se terroristi, i cili ka pranuar edhe autorësinë e krimit, kishte studiuar fizikë në një universitet në Ozbekistan.

Artikulli paraprakMOTI PËR SOT, VRANËSIRA DHE RESHJE LOKALE
Artikulli tjetërÇIFTI CLOONEY SË SHPEJTI PRINDËR