Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Durrës ku babai i një dëshmitari të mbrojtur në çështjen Shullazi, është dhunuar dhe grabitet nga dy persona ende të paidentifikuar për policinë.

Burime nga Policia e Durrësit thanë

se kanë nisur hetimet me qëllim identifikimin e autorëve të këtij krimi dhe arrestimin e tyre.

I dhunuari, është babai i personit, tashmë nën mbrojtje nga policia dhe prokuroria, që dëshmoi në favor të akuzave të ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, kundër Emiljano Shullazit, për sa i përket konflikteve që Shullazi ka pasur me biznesmenin Ylvi Beqja.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 13 në zonën e Plazhit, pranë vendit të quajtur “Rrota e Kuqe”, ku N.M është sulmuar fizikisht nga dy persona ende të paidentifikuar, duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit. Babai i dëshmitarit të mbrojtur, punon kambist në të zezë në qytetin bregdetar, dhe pasi e kanë dhunuar duke e dëmtuar në kokë, fytyrë dhe trup, janë larguar disa metra, por më pas janë kthyer duke i marrë çantën që kishte me vete.

Burime nga policia, thanë, se sipas deklarimeve të të dhunuarit, brenda në çantë ai kishte 275 euro dhe 1.5 milion lekë të vjetra, para këto që ai i përdorte për këmbim valutor.
Në fillim të procesit gjyqësor kundër Emiljano Shullazit dhe katër të pandehurve të tjerë si Blerim Shullazi, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Gilmando Dani, familja e dëshmitarit të mbrojtur u vu në mbrojtje nga Policia e Shtetit, për shkak të deklarimeve në gjyqin kundër këtyre personave.

Artikulli paraprakTHAÇI NOMINON KURTIN PËR TË FORMUAR QEVERINË: NËSE NUK PRANON TË REFUZOJË
Artikulli tjetërMETA VIZITON MEMORIALIN E IBRAHIM RUGOVËS