NISHANI: NUK DO TË MUNGOJË VLERËSIMI NDAJ FIGURAVE QË KONTRIBUAN NË DEMOKRACI. 24 vite pas demostratës antikomuniste të 2 Prillit në Shkodër, ku u vranë katër të rinj studentë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi pas vdekjes me titullin “Nderi i Kombit”, Arben Brocin, Besnik Cekën, Bujar Bishanakun dhe Nazmi Kryeziun.
Duke e quajtur një detyrim minimal ndaj atyre që dhanë jetën për liri dhe demokraci, Kreu i Shtetit, nderoi gjithashtu me Dekoratën e Artë të Shqiponjës edhe ata qytetarë të Shkodrës, protagonist të asaj ngjarje që ditën të vendosin interesin e vendit të tyre para atij personal. Në ceremoninë ku të ftuar ishin familjarë të viktimave të diktaturës, drejtues dhe përfaqësues të shoqatave të ish – të perndjekurve politik, Presidenti Nishani tha se nuk do të mungojë vlerësimi në vazhdim i figurave që sakrifikuan jetën dhe kontribuan në rrëzimin e një prej regjimeve më të egra diktatoriale që njeh historia.