Tregu shqiptar i punës nuk po rezulton aq atraktiv siç mendohej në fillim para pandemisë, kur nisi tendenca e kontraktimit të punonjësve nga Afrika, sipas agjencive që punësojnë të huaj në Shqipëri. Sipas agjencive që kur erdhën afrikanët e parë e deri më tani, tregu shqiptar i punës shfaqi problematika të thella në drejtim të informalitetit, kontratave të punës, burokracive dhe trafikut të paligjshëm. Shumë kompani i përdorën kontratat e punësimit për arsye trafikimi. Duke qenë se Shqipëria është një vend europian, shumë afër vendeve të zhvilluara, punonjësit afrikanë që ofrohen për punë Shqipëri, e përdorin këtë mundësi për të emigruar pas pak muajsh në një vend më të zhvilluar europian. Shumë biznese shqiptarë panë si zgjidhje për të zëvendësuar forcën punëtore që emigroi me punonjës nga Afrika. Mirëpo historia dyvjeçare e këtij fenomeni tregoi se tregu i shqiptar i punës nuk është i denjë as për punonjësit afrikanë. Sipas ekspertëve kjo mënyrë zëvendësimi e fuqisë punëtore nuk e zgjidh problemin, madje produktiviteti mund të cenohet. Duke qenë se Shqipëria ka ende një popullsi relativisht të re në moshë dhe një histori të shkurtër në ekonominë e tregut, nuk ka shfaqur vëmendjen duhur ndaj kapitalit human dhe mirëmbajtjes së tij. Vitet e fundit dhe sidomos pas pandemisë, fabrikat, jo shumë të mëdha, po krijojnë njësi të posaçme të burimeve njerëzore. Konkurrenca e egër për punonjës po shton stimujt për punonjësit. Për shembull, shumë fabrika fasoni në Tiranë po shtojnë një vakt ushqim për punonjësit por edhe lehtësi të tjera. Një anketë e “Deloitte” me mbi 1000 të rinj në Shqipëri të diplomuar me arsim të lartë, poshtë moshës 30 vjeç, që u publikua së fundmi, tregon se paga e ulët nuk është vlerësuar si aspekti parësor nga pjesëmarrësit në vrojtim për ndryshimin e punëdhënësit. 47.4% e tyre janë përgjigjur se mosvlerësimi i punës së tyre është komponenti kryesor, i cili do t’i orientonte ata drejt marrjes së një vendimi për të ndryshuar punëdhënës. 17.6% e të rinjve të arsimuar u shprehën se pamjaftueshmëria e mundësive për zhvillim dhe rritje profesionale do t’i orientonte ata drejt kërkimit të varianteve të tjera dhe 11.9% e konsiderojnë atmosferën e keqe dhe marrëdhëniet jo të mira në punë si shkaktarët kryesorë që çon në prishjen e marrëdhënies së punës. Të gjithë këto elemente tërheqin vëmendjen për rëndësinë që duhet t’u kushtojnë bizneset në vend sistemit të vlerësimit të performancës së punonjësve dhe lidhjen e saj me skemat e shpërblimit dhe shtegun në karrierë, rekomandon vrojtimi.