Dështon për herë të dytë tenderi per dhënien me koncesion të aeroportit të Sarandës. Ministria e Infrastrukturës deklaroi se në garë nuk u paraqit asnjë ofertë, ndërkohë që vlera minimale e tenderit ishte 34,3 milionë euro.

Afati ishte 26 nëntori. Edhe tenderi i parë u anulua pikërisht sepse nuk kishte asnjë oferte, ndërkohë që qeveria në rihapje të garës lehtësoi disa kritere me qëllim tërheqjen e investitorëve. Koncesioni është 35-vjeçar dhe aeroporti është planifikuar të jetë i kategorisë 3C, me pistë 2200 metra.

Pritshmëritë sipas dokumenteve janë që në vitin e parë të operimit numri i pasagjereve të jetë 150 mijë në vit dhe sipas studimit pritet të numri i udhëtarëve të konsolidohet në mbi 700 mijë pasagjerë pas vitit të 10-të të operimit të koncesionit.

Aeroporti i Sarandës do të jetë sezonal. Ai është planifikuar të ndërtohet 6 km larg qytetit të Sarandës, pranë rrugës nacionale, 20 m mbi nivelin e detit. Shqipëria ka aktualisht në funksion dy aeroporte, atë të Tiranës dhe Kukësit ndërkohë që kanë nisur punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Për aeroportin e Sarandës nuk dihet ende nëse do të rihapet gara, dhe nëse do të ketë rishikim të kushteve.

Artikulli paraprakLOT NË SY, FIFI TREGON PËR KOHËN KUR SHKROI KËNGËN “DIELL” NË “BIG BROTHER VIP”
Artikulli tjetërSHKODËR, NISMA “GATUAJ NJË PJATË MË TEPËR”