Plani i Shqipërisë dhe Malit të Zi është që, deri në vitin 2024, së bashku të ndërtojnë një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin – komunën më jugore të Malit të Zi dhe vendpushimin e Velipojës në Shqipëri.

Ura e gjatë 310 metra do të shkurtojë rrugën nga Plazhi i Madh i Ulqinit deri në Velipojë, nga 70 kilometra sa janë tani. Projekti u prezantua nga kryeministri i Malit të Zi dhe ai i Shqipërisë, Dritan Abazoviç dhe Edi Rama, gjatë samitit të “Ballkanit të Hapur” në Ohër.

Ndërtimi i urës mbi Bunë dhe lidhja e dy qendrave të mëdha turistike, do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për Ulqinin dhe për zhvillimin e turizmit, tha për Radion Evropa e Lirë aktivisti civil nga Ulqini, Xhemal Peroviç.

Përveç shkurtimit të ndjeshëm të rrugës mes brigjeve të dy vendeve, Peroviç thekson afrimin e tregjeve turistike të Shqipërisë, Greqisë, Kosovës dhe më gjerë.

“Turizmi modern është ai udhëtues. Turistët nga perëndimi dhe lindja e shohin Ballkanin si një destinacion unik. Kur planifikojnë, ata tani qëndrojnë në një vend për një kohë shumë më të shkurtër, duke dashur të vizitojnë sa më shumë destinacione”.
Në këtë kontekst, thotë Peroviç, rrugët moderne po fitojnë rëndësi.

Draftprojekti i urës mbi Bunë
Sipas projektit, ura mbi lumin Buna do të lidhë vendbanimet Shën Nikolla në Ulqin dhe Pulaj mbi Velipojë.

Gjatësia e urës do të jetë 310 metra, ajo do të ketë dy korsi të gjera më pak se katër metra dhe do të përfshijë trotuare dhe shtigje për biçikleta.

Lartësia mesatare e urës në raport me nivelin më të lartë të ujit do të jetë rreth 10 metra për të mos ndërhyrë në qarkullimin lumor. I gjithë projekti do të kushtojë nëntë milionë euro dhe ndërtimi do të zgjasë rreth 18 muaj.

Ura do të vendoset mbi degën e lumit Buna në dy degë që formojnë vendbanimin ekskluziv turistik të Ada Buna në Mal të Zi.

Plazhi i Madh i Ulqinit dhe vendpushimi turistik i Velipojës në Shqipëri janë vetëm disa kilometra larg, në vijë ajrore, dhe përshkohen ndërmjet nga lumi Buna.

Për të kaluar nga një pozicion në tjetrin me transport, tani duhet të kalohen rreth 70 kilometra, pra nga Ulqini në veriperëndim deri në pikën kufitare të Sukobinës dhe më pas përmes Shkodrës në Shqipëri, në jug deri në Velipojë.

Me ndërtimin e urës, Ulqini dhe Velipoja do të jenë vetëm pak kilometra larg. Këto dy zona së bashku kanë rreth 34 kilometra plazhe me rërë.

Projekti i dy kryeministrave, të Malit të Zi dhe Shqipërisë
Gjatë prezantimit të projektit të përbashkët në Ohër, kryeministri Dritan Abazoviç tha se Mali i Zi në buxhetin e këtij viti ka ndarë tre milionë e gjysmë euro për ndërtimin e urës.

Ai pret që në fillim të shtatorit të nënshkruhet një Memorandum bashkëpunimi me Shqipërinë, i cili do të specifikonte detyrimet e të dyja palëve.

“Ura është e rëndësishme, jo vetëm për shkak të reduktimit të rrugës që lidh dy qytetet dhe dy vendet, por edhe sepse kjo zonë ka potencialin si një atraksion turistik”, tha Abazoviç.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, theksoi nevojën për të specifikuar buxhetin për këtë investim dhe për të arritur një marrëveshje në përputhje me të.

“Ne jemi për. Edhe projekti është fantastik”, tha ai.

Rama theksoi, gjithashtu, se Shqipëria tashmë po ndërton një rrugë që lidh Velipojën me qytetin e Shëngjinit në jug të Shqipërisë.

Lidhja e Kroacisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë
Ish-kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, i cili është edhe afarist nga ky qytet, kujton se ura ishte planifikuar para katër vjetësh, porse askush nuk i dëgjoi për të filluar me ndërtimin.

“Ky territor kah deti, do të lidhej si rajon i përbashkët. Turistët e sotëm, ndërsa janë me pushime, duan t’i vizitojnë dy-tri shtet. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për turistët që vijnë në Mal të Zi për të shkuar në Shqipëri dhe Kroaci”, thotë Cungu.

Ai mirëpret lëvizjen e dy qeverive dhe beson se ura do të përfundojë siç është planifikuar.

“Kjo është një nevojë e madhe. Mali i Zi, Shqipëria dhe madje edhe Greqia dhe Kroacia janë destinacione ajrore. Me këtë urë po afrohen edhe aeroportet”.

Siç thanë për Radion Evropa e Lirë në Ministrinë e Investimeve Kapitale të Malit të Zi, këtë vit do të nënshkruhet Memorandum bashkëpunimi për realizimin e këtij projekti.

“Me këtë dokument do të specifikohen të gjitha detajet sa i përket shumës dhe ndarjes së kostove, mënyrës së përzgjedhjes së kontraktorit dhe dinamikës së punimeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Po nga kjo ministri thanë se, për momentin, nuk kanë më shumë informacione.

“Kemi komunikim të mirë dhe të vazhdueshëm me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë dhe presim intensifikimin e aktiviteteve për këtë projekt”.

Sipas prezantimit të publikuar në Ohër, projekti teknik i urës, përgatitja e buxhetit, lejet e ndërtimit duhet të përfundojnë deri në shkurt të vitit 2023. Më pas vijojnë punimet ndërtimore. Ura duhet të jetë funksionale nga gushti i vitit 2024.

Ura në Bunë mund të jetë pjesë e autostradës Adriatik-Jon
Aktivisti civil, Xhemal Peroviç, dyshon se ura do të ndërtohet kaq shpejt, sepse bëhet fjalë për një projekt që u përket dy vendeve.

“Për shembull, ndërtimi i rrugës nga Shkodra në Guci, gjithashtu një projekt i përbashkët i Shqipërisë dhe Malit të Zi, është zgjatur. Por, gjëja më e rëndësishme është të ecim përpara”, thotë ai.

Ai pret që ura të jetë pjesë e autostradës së ardhshme Adriatik-Jon.

“E di me siguri që Shqipëria e shpalli këtë rrugë si pjesë e autostradës Adriatik-Jon, e cila do të shkonte në afërsi pas Ulqinit dhe mbi urën e Bunës. Ndërkaq, Mali i Zi, më herët, preferonte që ajo të shkonte në veri, nga Podgorica, përmes Bozhajt në Shkodër, gjegjësisht në pjesën kontinentale”.

Sipas tij, është e palogjikshme që autostrada të largohet nga bregu dhe të zgjatet.

Autostrada Adriatik-Jon është një korridor qarkullimi, për të cilin flitet prej dy dekadash, si një projekt që do të lidhë Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë./REL

Artikulli paraprakÇMONTOHET RRJETI KRIMINAL ITALI-SHQIPËRI, SPAK: SEKUESTRUAM MBI 500 MIJË EURO, SI BASHKËPUNONIN MJEKËT E KORRUPTUAR ME BANDËN
Artikulli tjetërMSH JEP TË DHËNAT: 55 QYTETARË TË INFEKTUAR, ASNJË HUMBJE JETE DHE 76 TË SHËRUAR NGA COVID-19 NË 24 ORËT E FUNDIT