Është siguruar dëshmia e të plagosurit në Theth, 47-vjeçarit Gëzim Ndrezajt.
I shtrirë në tokë dhe i plagosur në këmbën e djathtë, Ndrezaj tregon se me autorin ishin konfliktuar për arsye banale. Ai thotë se autori i ka kërkuar që të bëj një punë, ndërsa ai s’ka pranuar pasi nuk ka pasur mundësi.
Në këtë moment, sipas 47-vjeçarit, autori, i cili ishte me një makinë, ka nxjerrë automatikun dhe e ka qëlluar një herë në këmbë. Ai thotë se ka pasur vetëm një të shtënë si dhe shton se autorin e njeh, pasi është banor i zonës.
“Ka edhe më keq. Autori më kërkoi të bëja një punë. I thashë se nuk kam mundësi. E njoh autorin, është vendali. Më plagosi me automatik. Ngjarja ndodhi para 10 minutave. Ai ishte me makinë. Më gjuajti një herë”, thotë i plagosuri.
Raportohet se i plagosuri punonte si murator. Dyshohet se konflikti mes tij dhe autorit ka ndodhur për prishje pazari.
Mësohet se policia ka mundur ta identifikojë autorin dhe është vënë në ndjekje të tij.