Një vogëlushe 3-vjeçare është sulmuar nga dhelpra në dhomën e saj të gjumit. Ngjarja ka ndodhur në juglindje të Londrës, Britani e Madhe.

 

Dhelpra kafshoi 3-vjeçaren në krahun e saj, pasi hyri në shtëpi nga një derë e lënë hapur. Sulmi u ndalua kur babai i vajzës dëgjoi të bërtiturat e saj.

 

“Nuk mund ta besoj këtë“, tha ai për mediat vendase, duke shtuar se mendonte që sulmet e dhelprave ishin thjesht legjenda urbane.

 

Ai kishte lënë të hapura dyert e pasme të shtëpisë për shkak të klimës së nxehtë. 3-vjeçare kishte pësuar plagë dhe gërvishtje në krah, por fatmirësisht asgjë serioze. Bashkë me 3-vjeçaren, në dhomë flinte edhe vëllai i saj 4-muajsh.

 

“Mund të kishte përfunduar shumë më keq“, shton i ati.

 

Kur pa se dhelpra kishte sulmuar vajzën, babai e mori 3-vjeçaren dhe foshnjen duke i vendosur në një dhomë tjetër. Ndërkohë dhelpra u largua nga e njëjta derë e lënë hapur.

 

Sulmet e dhelprave në Britani të Madhe janë jashtëzakonisht të rralla, por ekspertët thonë se ato mund të bëhen shumë të guximshme nëse gjejnë ushqim të lehtë.

 

Sipas autoriteteve, përqëndrimi më i madh i dhelprave në Britani të Madhe është në Bournemouth, 23 për kilometër/katrorë.

Artikulli paraprakGJOBITET KRYEBASHKIAKJA, SHKAK PLEHRAT NË QYTET
Artikulli tjetërPËRGATITJE PËR LUFTË KIBERNETIKE