Dhjete vite burg ish-shefit të Antidrogës. Trafikoi hashash!
Në Finlandë ndodh edhe kështu: të arrestohet pikërisht ish-kreu i Antidrogës së kryeqytetit Helsinki, veç akuzave të tjera edhe për trafikim droge. Një gjykatë finlandeze e ka dënuar ish-kreun e policisë së Antidrogës, Jari Aarnio, me 10 vite burgim, pasi u vërtetua se ai ka ndihmuar një bandë të trafikut të narkotikëve të importonin në Finlandë rreth 800 kg hashash nga Holanda, për ta shitur atë më pas gjatë viteve 2011-2012. Aarnio, 59 vjeç, është shpallur fajtor për 5 akuza penale në lidhje me lëndët narkotike, si dhe për 17 shkelje të tjera, përfshi këtu edhe kërcënimin ndaj një të dyshuari. Përpara se të arrestohej në vitin 2013, ai kishte kaluar një karrierë të gjatë 30-vjeçare në forcat e Antidrogës. E megjithëse ai mohon kategorikisht të gjitha akuzat, Aarnio rezulton i dënuar edhe për një tjetër çështje në shtator të këtij viti, dënim me 3 vite heqje lirie për “mashtrim”. Përqindja e krimeve është relativisht e ulët në Finlandë, krahasuar me vendet e tjera europiane. Vendi renditet si i dyti më pak i korruptuar, pas Danimarkës, në indeksin global të hartuar nga “Transparency International”.