Tërmeti i fuqishëm që lëkundi vendin në orën 17:38 minuta ka shkaktuar dëme në dhjetëra banesa kryesisht në veri të vendit.
Të dhënat treguan se epiqendra e tërmetit me magnitudë 5.1 ishte 10 kilometra në veri të Burrelit.
Tërmeti ishte i fortë dhe zgjati për disa sekonda, duke shkaktuar panik tek qytetaret ne Tiranë, Durrës, Laç, Burrel, Shkodër dhe qytete të tjera.
Por në disa zona, shumë shtëpi kanë pësuar çarje të mureve, plasaritje dhe dëmtime në tavane.
Shtabi i emergjencave civile njoftoi se 67 banesa të dëmtuara gjithsej janë dëmtuar në disa zona. Kështu në bashkinë Klos numërohen 12 banesa të dëmtuara, në Mat 8 banesa dhe në Bulqizë 47 banesa të dëmtuara.
Fatmirësisht, nga tërmeti nuk ka pasur të lënduar. Specialistët e Emergjencave Civile njoftojnë se janë të gatshëm së bashku me punonjës të bashkive për tu ardhur në ndihmë banorëve.
Tërmeti është ndjerë edhe në vendet fqinje, si në Maqedoni dhe Mal të zi, ndërsa sizmiologët paralajmërojnë se priten lëkundje të tjera më të vogla, njësoj siç ndodhi pak javë më parë me tërmetin që pati si epiqendër Gjirin e Lalëzit.