Federata Shqiptare e Futbollit dhe Ministria e Brendshme kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në mjediset sportive ku organizohen dhe zhvillohen ndeshjet e futbollit. Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u nënshkrua ky memorandum ku të pranishëm ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, përfaqësues të FSHF-së dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme. Memorandumi i bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Brendshme përfshin disa pika kryesore që janë:

Angazhimi i FSHF dhe Ministrisë së Brendshme për të zbatuar ligjet në fuqi për parandalimin e dhunës në ambientet sportive.
Forcimi i bashkëpunimit mes palëve për reduktimin e dhunës në futboll, duke promovuar kështu një mjedis të sigurt për të gjitha aktorët e përfshirë.
Hartimi i politikave gjithëpërfshirëse kundër dhunës dhe zbatimi i tyre, marrja e masave parandaluese, iniciativave edukative dhe ndërgjegjësuese, si dhe masa ndëshkimore të rrepta për shkelësit.
Hartimi, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, dhe zbatimi i politikave gjithëpërfshirëse kundër paracaktimit të rezultateve në ndeshjet e futbollit. Këtu përfshihen masa parandaluese, iniciativa edukuese dhe masa ndëshkimore të rrepta sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Krijimi i kanaleve për shkëmbimin e informacionit në kohë, për të parandaluar dhunën në futboll dhe për trajtimin dhe ndjekjen e rasteve të paracaktimit të rezultateve të ndeshjeve.
Takime të përbashkëta çdo dy muaj, ose edhe më shumë nëse është e nevojshme, për të diskutuar masat e ndërmarra, incidentet dhe problematikat e hasura. Në këto takime mund të jenë edhe palë të tjera.
Angazhimi i FSHF dhe Ministrisë së Brendshme për të zbatuar detyrimet. Detyrimet e FSHF dhe anëtareve të saj lidhen me njoftimin e kalendarit të ndeshjeve, marrjen e masave organizative, zbatimin e ligjit për “Masat shtesë të sigurisë publike”, që përkon me vendosjen e kamerave, kontraktimin e Shoqërive Private të Sigurimit Fizik dhe hartimin e skemës së ruajtjes së objektit.
Detyrimet e Ministrisë së Brendshme lidhen me procedimin penal të shkelësve të ligjit, ndalimin e tyre për t’u futur në stadiume dhe mjedise sportive, ndërkohë që Policia e Shtetit merr masat që personat e dënuar të paraqiten në komisariatet e policisë ditën e ndeshjes.
FSHF dhe Ministria e Brendshme angazhohen në fushatat e ndërgjegjësimit e publikut për pasojat e sjelljes së dhunshme. Përmes këtyre fushatave synohet të promovohet kultura pozitive e tifozëve në veprimtaritë sportive, duke vëne thkesin te gjithëpërfshirja dhe kënaqësia e futbollit si një përvojë e përbashkët.
Menjëherë pas firmosjes së memorandumit të bashkëpunimit, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha se kjo marrëveshje shërben për të ofruar një ambient sa më të mirë dhe të sigurt në çdo stadium dhe event sportiv.

Artikulli paraprakTONIGHT – LUIGJ MILA
Artikulli tjetërEKSPERTËT BËJNË PARALAJMËRIMIN: EUROPA TË PËRGATITET PËR VERËN MË TË NXEHTË NË HISTORI