Dhuna ndaj grave është një shqetësim serioz për shoqërinë dhe shifrat e raportuara nga Policia e Shtetit, japin një panoramë të qartë të shtrirjes së këtij fenomeni. Ministri Balla u shpreh se në dy muajt e parë të vitit janë raportuar 890 raste dhune në familje, kryesisht me bazë gjinore dhe janë lëshuar nga gjykata, 465 urdhra mbrojtjeje për gra e vajza.
“Sa herë që shoh shifrat që më raportojnë nga Policia e Shtetit më duket e papranueshme që shoqëria jonë të shfaqë këto tendenca. P.sh., vetëm në dy muajt e parë të këtij viti kemi 890 raste të raportuara për dhunë dhe janë 465 urdhra mbrojtjeje për vajza dhe gra,” – u shpreh Ministri Balla gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë “Fem Fest ‘24”, në të cilën morën pjesë edhe Ministrja Mirela Koçiu dhe Ministrja e Drejtësisë së Kosovës Albulena Haxhiu.
Takimi ishte organizuar nga organizata të shoqërisë civile që ndjekin edhe çështjet e dhunës me bazë gjinore. Ai theksoi se duhen bërë të gjitha përpjekjet që të krijohet një koalicion mbarëkombëtar, i cili të bëjë të njohura rastet e shpëtimit nga dhuna.
“Në mënyrë që ta luftojmë si duhet këtë fenomen e kjo luftë të fitohet ose, të paktën, fillon të shërohet, nëse krijojmë një koalicion mbarëkombëtar për t’i nxjerrë rastet pozitive të shpëtimit ndaj dhunës si një fitore,” – u shpreh Balla.
Sipas të dhënave, viti 2023 regjistroi 11 humbje jete të grave në mbarë territorin.
Ministri Balla i ka kërkuar Policisë së Shtetit të hartojë një protokoll të detajuar për trajtimin duke nisur nga kontakti i parë i shtetit me viktimën e dhunës.
Në fjalën e tij, Balla nënvizoi faktin që shifrat janë ende larg realitetit, pasi shumë raste dhunë nuk raportohen fare, për shkaqe nga më të ndryshmet.
“Pavarësisht shifrave tejet alarmuese, duhet të theksojmë faktin që jemi ende larg shifrave reale, sepse jam i bindur se jo çdo akt dhune denoncohet, që të kemi mundësi të reagojmë,” u shpreh Ministri.
Duke marrë shkas nga disa raste të rënda të kohëve të fundit, Ministri Balla ceku edhe problemin e dhunës online, sidomos përmes platformave sociale, të cilat gjenerojnë rëndom dhunë, që mund të shpjerë deri në tragjedi.
“Po vërejmë me shqetësim, – tha Ministri Balla – rritjen e fenomenit të dhunës ndaj grave edhe online. Për këtë qëllimin me ristrukturimin e ri të Policisë se Shtetit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike është ngritur në nivel qendror dhe vendor, me qëllim për të qenë sa më pranë qytetarëve pikërisht për denoncimin e rasteve”.
Ministri e mbylli me një apel për shoqërinë, që të reagojë ndaj rasteve të dhunës dhe ta luftojë atë që në gjenezë. “Ndaj më lejoni ta shfrytëzoj këtë panel duke ripërsëritur apelin tim për të gjitha palët e interesuara, përfshirë agjencitë qeveritare, organizatat e shoqërisë civile, sektorin privat dhe individët, që të bëhemi bashkë në një koalicion kombëtar kundër kësaj të keqeje që po minon shoqërinë tonë”, theksoi Ministri në fjalën e tij.