Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka dënuar sulmin ndaj gazetarit, Elvis Hila. Në reagimin e bërë, BE u bën thirrje autoriteteve që të hetojnë ngjarjen dhe të vënë para drejtësisë autorët. BE thotë se sulmi ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohet.
“BE dënon ashpër sulmin ndaj gazetarit Elvis Hila dhe gruas së tij dhe bën thirrje për një hetim të plotë mbi këtë incident. Frikësimi dhe sulmet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen. Liria e medias është një shtyllë kryesore e një shoqërie demokratike dhe duhet të ruhet”, thuhet në reagimin e BE-së.
Një reagim ka patur edhe nga rrjeti i ordinatës Gazetarët e Sigurt, të cilët kërkojnë që autorët të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar për dhunën ndaj gazetarit.Gazetari Elvis Hila u sulmua fizikisht nga dy persona teksa ishte me bashkëshorten e tij, ndërsa ngjarja erdhi pas një lajmi të raportuar për dënimin e një personi që ishte dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Lezhës, për veprën penale “Falsifikim Dokumentash”.