Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Byrosë së Kuvendit për të ndëshkuar me 10 ditë përjashtim nga Kuvendi të Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati pas dhunës në seancën e sotme plenare.
Rama përmes një statusi në Facebook shprehet se Bushati u ndëshkua për veprimin që bëri, ndërsa opozita jo vetëm që nuk kërkoi ndjesë, por është krenare për shëmtitë e saj.
“Ditmir Bushati reagoi sot instinktivisht ndaj nje agresioni të shëmtuar dhe gaboi!Kërkoi ndjesë publike e prapëseprapë u ndëshkua. Sepse për ne rregullat vlejnë njësoj për të gjithë dhe NE NUK JEMI NJESOJ SI ATA që jo vetëm s’e njohin ndjesën, po janë krenarë për shëmtitë e tyre”! Edi Rama
Seanca e sotme në Kuvend u përfshi nga tensionet dhe dhuna, pasi deputetët e opozitës hodhën letra, ujë, vezë, miell dhe sende të tjera të forta në drejtim të kryeministrit dhe ministrave, ndërsa Bushati reagoi duke hedhur ujë. Byroja e Kuvendit vendosi përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të Bushatit dhe 6 deputetëve të opozitës.