Turma të rinjsh kanë sulmuar këtë të mërkurë policinë në dy qytetet më të mëdha të Greqisë, ku është përkujtuar 9-vjetori i vrasjes së adoleshentit Alexis Grigoropoulos nga policia.
Përleshjet zgjatën për disa orë dhe u zhvilluan në të njëjtën kohë me operacionin masiv të ndërmarrë nga policia greke për garantimin e sigurisë së presidentit turk Erdogan, i cili nesër viziton Athinën. Në kryeqytetin helen, të rinjtë bllokuan rrugët duke përdorur konteinerë mbeturinash të cilëve u kishin vënë flakën dhe hodhën gurë, shashka dhe bomba molotov në drejtim të forcave të rendit, para se t’i finin flakën një makine të parkuar dhe të dëmtonin fasadat e disa dyqaneve. Skena të ngjashme u panë edhe në Selanik, qyteti i dytë më i madh i Greqisë, ku protestuesit goditën me gurë policinë edhe nga dritaret e disa apartamenteve.
Forcat e policisë që kishin zbritur në terren ishin rreth 2 mijë. Për momentin nuk ka të dhëna për të plagosur apo të arrestuar. 15-vjeçari Alexis Grigoropoulos u qëllua për vdekje nga policia në vitin 2008 në Athinë, në lagjen Eskarqia, e njohur për praninë e theksuar të anarkistëve. Vdekja e tij shkaktoi protesta në mbarë Greqinë, të cilat zgjatën për disa javë. Agjenti që e ekzekutoi deklaroi se nuk donte të qëllonte djalin, por kjo deklaratë e tij nuk u mor parasysh në gjykatë, e cila e dënoi me burgim të përjetshëm për “vrasje me paramendim”.