Dhunë në burgun e Fierit, Avokati i Popullit : Prokuroria të hetojë

Avokati i Popullit akuzon drejtuesit e Burgut të Fierit për dhunë fizike ndaj një të burgosuri dhe pengim të këtij institucioni për kryerjen e detyrës në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Inspektorët e Avokatit të Popullit kanë ndaluar për një kontroll rutinë të programuar në burgun e Fierit, kur gjatë mbikëqyrjes së ambienteve të veçim-vëzhgimit kanë vënë re një të burgosur me shenja dhune në trup. Menjëherë inspektorët e Avokatit të Popullit kanë kërkuar të intervistojnë të dënuarin, por siç thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat nga ky institucion, janë penguar të ushtrojnë detyrën e tyre nga drejtuesit e burgut dhe Policia e Burgjeve e Fierit. “Ekspertët e Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës (MKPT) pranë Avokatit të Popullit janë ndaluar fizikisht të ushtrojnë detyrat e tyre funksionale, ndërsa po zhvillonin një hetim administrativ për një të dënuar, ndaj të cilit është ushtruar dhunë fizike”, thotë Avokati i Popullit. Avokati i Popullit thotë se kërkoi të intervistonin personin e dhunuar në spitalin e burgut, por aty ndodhej Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, që e kishin marrë në pyetje të dënuarin me inicialet P. P. ndaj të cilit ishte ushtruar dhunë. Në fund, ekspertët e MKPT kanë mundur të takojnë të dhunuarin duke shkëputur prej tij edhe dëshminë. “Ekspertët zhvilluan një takim në spitalin e burgut me të dënuarin P.P. i cili konfirmoi dhunën e ushtruar ndaj tij nga punonjësit e policisë së IEVP, Fier. Gjithashtu, si pjesë e hetimit të ekspertëve ishte edhe ekzaminimi fizik i të dënuarit P.P., i cili rezultonte me shenja të dukshme dhune, dëmtime në kokë, shpinë dhe gjymtyrë, si rezultat i goditjeve”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit. Ky institucion thotë se menjëherë pas marrjes së dëshmisë, ekspertët kanë kërkuar të fotografojnë shenjat e dhunës si prova kryesore në një hetim të tillë administrativ, por thuhet në deklaratë, janë penguar nga punonjësit e burgut. “Edhe pas këmbënguljes për disa orë me radhë të ekspertëve të MKPT, sërish drejtuesit e IEVP Fier nuk i kanë lejuar të ushtrojnë detyrën e tyre funksionale në kundërshtim të plotë me ligjin”, thotë Avokati i Popullit. Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në spitalin e burgut, i dhunuari P.P. është dërguar drejt spitalit të Fierit, ku edhe këtu inspektorët e Avokatit të Popullit janë ndaluar. “Sërish Ekspertët e AP kërkuan që të kryejnë në këtë spital civil fotografimin e shenjave të dhunës tek ky person, por nuk u lejuan. Në momentet që i dënuari mbërriti në spitalin e Fierit i shoqëruar nga dy punonjës policie, si dhe tre civilë, këta të fundit i kanë dalë përpara ekspertëve të AP duke u thënë se nuk i njohin dhe duhet të largoheshin”, deklaron ky institucion. Në fund Avokati i Popullit u bën thirrje drejtuesve të burgut të Fierit dhe të Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë ngjarje që të tërhiqen nga ky veprim i paligjshëm dhe i kërkon Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimin për personat që po pengojnë ekspertët e këtij institucioni në kryerjen e detyrave të tyre ligjore.

Artikulli paraprakNE 10 VJET 50% ME PAK NXENES NE KLASEN E PARE.BIE LINDSHMERIA
Artikulli tjetërMOTI NË BRITANI, PËRMBYTET VERIU, JUGORËT NË PLAZH