Policia e Kosovës ka arrestuar një serb në Graçanicë që dyshohet për krime lufte në Kosovë. Sipas njoftimit, i arrestuari, i identifikuar me iniciale D.M, dyshohet për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile. Ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, si gardian në burgun e Lipjanit “në mënyrë sistematike, ka ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”. Policia tha se gjatë kontrollit të shtëpisë së dyshuarit ka sekuestruar si prova materiale, sikurse një revole, fishekë, një thikë ushtarake, një shufër metalike, por edhe dokumente, vendime, shënime dhe telefonin e tij personal. Pas këtij arrestimi, serbët lokalë u mblodhën para stacionit policor në Graçanicë – komunë e banuar me shumicës serbe që gjendet afër Prishtinës – dhe për një kohë të shkurtër bllokuan rrugën kryesore Prishtinë-Gjilan që kalon nëpër këtë komunë.
Ata kërkuan lirimin e të arrestuarit. Graçanica është një prej gjashtë komunave me shumicë serbe që gjendet në jug të Ibrit.Për këtë arrestim kanë reaguar nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhe nga Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe. Lista Serbe tha se ky arrestim “është i pabazuar”. Kjo parti tha se i arrestuari është Dragisha Millenkoviç, duke shtuar se po bëhet “gjueti për serbët para syve të bashkësisë ndërkombëtare”.
Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se ky arrestim është “plani i hakmarrjes ndaj serbëve” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke mos dhënë asnjë dëshmi për të mbështetur këtë pretendim. Lufta në Kosovë e viteve 1998/99 përfundoi pas fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë serbe. Mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në luftë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur janë mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë..