Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, u dënua me 15 vjet burgim për vrasje të rëndë.

Dy të akuzuarit, Krivaqa dhe Sejdiu, megjithatë u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.

Gjyqtari i rastit tha se për dënimin e Krivaqës është marrë parasysh edhe mosha shumë e re e Marigona Osmanit, e cila sapo kishte mbushur 18 vjet.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Artikulli paraprakEn Iyi Canli Turkiyenin Casino Parimatch
Artikulli tjetërTËRHEQJA E POLICËVE NË VERI, KURTI: SITUATA ËSHTË E QETË, PO ZBATOJMË ME SERIOZITET MARRËVESHJEN E BRATISLLAVËS