Nën moton “Dhuro Gjak, Shpëto Jetë” dhjetëra të rinj shkodranë e nisën ditën në ambientet e Poliklinikës së qytetit të Shkodrës.
Nisma e tyre për dhurimin vullnetar të gjakut shërben si shembull që duhet ndjekur nga sa më shumë qytetarë. Përtej ndihmës për fëmijët talasimikë, kontribuimi në bankën e gjakut i shërben zgjidhjes së problemeve shëndetësore gjatë muajve të verës. Thirrja është për çdo qytetar.
Sipas specialistëve, Shkodra dhe Shqipëria kanë një numër të ulët të dhuruesve vullnetar. Sa i përket kontrolleve dhe sigurisë gjatë dhurimit, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut zotëron të gjitha pajisjet e nevojshme për plotësimin e standardeve. Përveç studentëve dhe qytetarëve të shumtë, nismës vullnetare për dhurimin e gjakut iu bashkuan edhe disa futbollistë të klubit Vllaznia. Sa i përket shifrave të dhuruesve vullnetarë, Kryqi i Kuq në Shkodër ka regjistruar rreth 200 studentë dhe aktivistë të shoqërisë civile.