Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, ka marrë pjesë në dialogun e dytë mesdhetar për krizën ushqimore që u mbajt në Itali. Ministrja Xhaçka vlerësoi homologun italian për punën e bërë për adresimin e kësaj krize, teksa bëri me dije se Shqipëria do t’i bashkohet Grupit të Miqve të Sigurisë Ushqimore dhe të të Ushqyerit të kryesuar nga Italia.

“Në emër të Shqipërisë dëshiroj të shpreh mbështetjen tonë për tre propozimet e paraqitura nga Italia: Ofrimi i mbështetjes financiare për vendet e prekura në Rajonin e Mesdheut; Krijimi i një Aleance për Kërkim dhe Inovacion për të mbështetur fermerët në rajon dhe Promovimi i Partneritetit nga qyteti në qytet për politikat ushqimore duke shkëmbyer kështu praktikat dhe zgjidhjet më të mira
Janë të gjitha masat që do të ndihmojnë në adresimin e kësaj krize në përshkallëzim, por edhe në nxitjen e bashkëpunimit brenda rajonit tonë. Dhe besoj se ne kemi një mundësi reale për të ndërtuar në Mesdhe një model se si mund të menaxhohet kjo krizë në mbarë botën”, u shpreh kryediplomatja shqiptare.

Për të mobilizuar veprime për trajtimin e pasigurisë ushqimore globale, Italia synon të riafirmojë angazhimin e saj në Axhendën e Sigurisë Ushqimore duke organizuar këtë aktivitet të rëndësishëm, i dyti në radhë, në bashkëpunim me organizatën FAO, ku u bënë së bashku ministra të jashtëm nga vendet e rajonit të Mesdheut, përfshirë ato më të prekura nga pasiguria ushqimore dhe ato që mund të kontribuojnë për tejkalimin e kësaj krize. Pjesëmarrja e MEPJ Xhaçka ka një kontribut me vlerë për vendin tonë, marrë në konsideratë dhe rolin primar që Shqipëria ka në Këshillin e Sigurimit të OKB. Po ashtu, pozicioni gjeografik i Shqipërisë në Mesdhe dhe marrja e një roli protagonist, veçanërisht për çështjet që lidhen me lëvizjen migratore dhe krizën ushqimore, gjithashtu është në interesin e vendit tonë. Partneriteti dhe bashkëpunimi i ngushtë me palën italiane, si një nga faktorët më të rëndësishëm në këtë rajon, si dhe kontributi që kemi në FAO, në drejtimin e projekteve dhe nismave për një zhvillim të qëndrueshëm agrar në pellgun e Mesdheut, është po ashtu në interes të dy palëve.

Artikulli paraprakBORDI I TRANSPARENCËS PUBLIKON ÇMIMET E REJA, ULET NAFTA DHE BENZINA. JA ME SA DO TË SHITEN KARBURANTET NË VEND
Artikulli tjetërBLLOKADA PËR ANËTARËSIMIN NË NATO, SUEDIA NIS EKSTRADIMIN E KURDËVE NË TURQI