Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të ulën sërish përballë njëri-tjetrit në tryezën e dialogut, këtë të enjte më 14 shtator.

Mbajtjen e këtij takimi e ka konfirmuar ditë më parë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Pas situatës që u krijua në maj këtij viti në veri të Kosovës, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.

E në prag të mbajtjes së takimit në nivel të lartë, i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak gjatë javës së kaluar ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ku është biseduar rreth përgatitjeve për takimin e së enjtes.

“Ne e patëm një diskutim të gjatë dhe përmbajtjesor për t’u përgatitur për takimin e dialogut të nivelit të lartë javën e ardhshme”, shkroi Lajçaku në platformën “X”.

Ai theksoi se përqendrimi i tyre kryesor në takimin e 6 shtatorit në Bruksel ishte “si të përparojmë në normalizimin e marrëdhënieve”.

Lajçak thotë se po punohet shumë që takimi i 14 shtatorit të sjellë rezultate pozitive. Ndërkaq zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Kosova insiston në barazi të palëve në dialog.

“Përgatitjet e BE-së për takimin në kuadër të dialogut të Nivelit të Lartë më 14 shtator po kryhen me intensitet dhe ne po punojmë që të kemi rezultate pozitive”, shkroi ai në Facebook.

“Bisedimet për procesin e dialogut sot para takimit të nivelit të lartë javën e ardhshme. Kosova mbetet konstruktiv dhe insiston në sigurimin e barazisë së plotë të palëve në dialog. Marrëveshja bazike duhet të zbatohet në tërësi dhe pa vonesë. Plani i renditjes së drejtë dhe i balancuar është thelbësor”, ka shkruar Bislimi në platformën “X”.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe aleatëve të tjerë që ta nxisin Serbinë për të përmbushur detyrimet e draftit franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Edhe presidentja Vjosa Osmani e cila të enjten ishte për vizitë në Selinë e NATO-s në Bruksel, i bëri thirrje BE-së që të ketë qasje të balancuar në dialog mes të dyja vendeve.

Ajo ka thënë se Kosova për fat të keq gjithmonë ka qenë pala e vetme konstruktive në këtë proces.

“Takimi i ardhshëm i dialogut do të mbahet më 14 shtator. Kosova gjithmonë ka qenë palë konstruktive, fatkeqësisht e vetmja palë konstruktive në atë proces. Lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga Serbia është shumë e gjatë, nuk duhet të thellohem në këtë. Shpresat tona janë të ketë një qasje të balancuar së paku nga ndërmjetësit e BE-së, si parakusht për suksesin e procesit”, ka thënë presidentja.

Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

Artikulli paraprakRAMA URON NË DITËN E PARË TË SHKOLLËS: SUKSESE NË RRUGËTIMIN E RI TË DIJES TË GJITHË FËMIJËVE, NXËNËSVE, MËSUESVE E PRINDËRVE
Artikulli tjetërGREQI, RAJONET E PREKURA NGA PËRMBYTJET MBESIN PA ENERGJI ELEKTRIKE DHE UJË TË PIJSHËM