Takimet e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e sidomos ai i së mërkurës, me nivel të lartë të përfaqësimit politik nga të dyja vendet, po shpërfaqin situatën se i tërë procesi i bisedimeve ka hyrë në qorrsokak duke e bërë dialogun “të vdekur në mënyrë klinike”, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Publicisti Halil Matoshi, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tashmë nuk mund të quhet dialog, por vetëm si kontakt. “Dialogu Prishtinë-Beograd, aktualisht nuk është ndonjë dialog. Është vetëm kontakt. Zonja Mogherini dhe Bashkimi Evropian po synojnë që t’i mbajë palët bashkë, rreth një tavoline, që të mos përshkallëzojnë me deklarata të forta nacionaliste dhe që të mos ndikojnë në shpërthimin e ndonjë konflikti në terren. ndërkaq, sa u përket rezultateve, aktualisht nuk pres ndonjë gjë. Praktikisht, dialogu është klinikisht i vdekur”. Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, thotë se procesi i dialogut tashmë ka hyrë në një rrugë pa krye. “Këto dy takimet e fundit kanë treguar se në çfarë qorrsokaku është i tërë procesi i bisedimeve, sepse në njërën anë e kemi pasur një qasje sipërfaqësore të një progresi formal, ndërsa në anën tjetër kanë gjalluar dallimet e mëdha, hendeku në mes palës kosovare dhe asaj serbe. Mirëpo, është tentuar që të mbahet në një lloj imazhi, i cili do ta përçonte porosinë se bisedimet po shkojnë mirë”. Profesor Muhaxhiri ka shtuar se përfshirja e presidentëve në takimet në Bruksel, ka nxjerrë në pah problemet edhe më të mëdha ndërmjet dy vendeve. “Për dallim nga dy kryeministrat, dy presidentët i kanë edhe interesat e tyre të spikatjes, të shpërfaqjes në opinion dhe dëshirojnë të përfitojnë maksimalisht, qoftë edhe në aspektin, metaforik, në aspektin simbolik nga këto bisedime”. Analisti Matoshi, vlerëson se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po shkon drejt fundit, ndonëse, sipas tij, fundi është i paqartë. “Aktualisht po shihet se palët janë marrë vesh që nuk merren vesh për asgjë. Mirëpo, ndonjë përmbyllje, ndonjë finale të dialogut, me nënshkrimin e ndonjë pakti paqeje, mund ta imponojnë vetëm fuqitë e mëdha dhe Bashkimi Evropian, sepse palët nuk kanë vullnet politik që vet ta arrijnë këtë”. Rrethi i dytë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mërkurën në mbrëmje në Bruksel, me nivel të lartë të përfaqësimit politik, ka përfunduar pa rezultate konkrete megjithëse shefja politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Federica Mogherini ka thënë se “është e inkurajuar me angazhimin konstruktiv, që kanë treguar të dyja palët”.