Në fund, serbët do të duhet të pranojnë një nivel të caktuar të sovranitetit dhe Kosova duhet t’u japë autonomi më të madhe serbëve të Kosovës, veçanërisht Asociacionin për komunat me shumicë serbe në Kosovë, citohet të ketë thënë këshilltari special i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet. Ky i fundit, i cili qëndroi në rajon në vitet 1990 si pjesë e ekipit të sekretarit të shtetit, Richard Holbrooke, vizitoi Beogradin dhe Prishtinën për herë të parë këtë javë, tani në cilësinë e këshilltarit special të Departamentit të Shtetit Amerikan. Në një intervistë për Financial Times, zyrtari amerikan tregoi “hap pas hapi” rrugën për përparim në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Hapi i parë do të ishte që Serbia dhe Kosova të normalizojnë marrëdhëniet, edhe pa njohje të plotë reciproke, siç kanë bërë vendet e tjera, tha Chollet.
“Të paktën si hap fillestar, është një mënyrë për ta vendosur Kosovën në rrugën euroatlantike në të cilën duam ta shohim atë”, tha ai. Zyrtari amerikan saktëson se për një gjë të tillë është e nevojshme që të dyja palët të tregojnë gatishmëri për kompromise. Ndërsa serbët përfundimisht do të duhet të pranojnë njëfarë niveli sovraniteti, Kosova duhet t’u japë qytetarëve të saj serbë autonomi më të madhe, veçanërisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ai tregoi se i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në takimin e fundit se me “urgjencë” duhet themeluar këtë organ.
“Ata e kuptojnë rëndësinë e kësaj”, shtoi Cholet. Kjo media raporton se Serbia ka kohë që është e varur nga burimet ruse të energjisë, por edhe se ka filluar të diversifikojë burimet e saja energjetike dhe të reduktojë varësinë prej Rusisë. Chollet thekson se, si rezultat, çështja e Kosovës mbeti “leva e fundit që Moska ka mbi Beogradin – aspekt që Uashingtoni nuk e ka harruar”.
“Arsyeja pse ne duam të arrijmë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është që t’ia heqim atë levë prej dorës Rusisë”, deklaroi ai. “Nuk mendoj se duhet ta mbivlerësojmë këtë ndikim. Është e vërtetë, por e pranoj se nuk është kjo arsyeja pse po e bëjmë këtë”, shtoi diplomati. Pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës, Chollet tha se SHBA-të po intensifikon presionin diplomatik tek dyja vendet për të parandaluar “dhunën nga metastaza”. “Gjëja e fundit që dikush prej nesh dëshiron tani është një krizë në këtë pjesë të botës, duke qenë se kemi krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, jo shumë larg nesh”, nënvizoi Chollet. Ai po ashtu thotë se SHBA-të nuk e dëshiron diplomacinë e krizës, por Kosova dhe Serbia të fillojnë të lidhin një marrëveshje në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian. “Unë mendoj se ka një rrugë të mesme që mund ta arrijmë, përndryshe nuk do të investonim”, tha diplomati, duke shtuar se beson në arritjen e një marrëveshje, por nuk pranoi të caktojë një kornizë kohore.