As problemet me borën dhe ngricat duket se nuk kanë ndalur fushatën për dorëzimin e armëve pa leje në Dibër.

Përmes një komunikate për mediat, policia bën me dije se të martën në Komisariatin e Policisë Dibër janë dorëzuar dy armë zjarri që mbaheshin pa leje. Konkretisht një kallashnikov me dy karikatorë me fishekë si dhe një pushkë model 56. Sakaq Policia e Dibrës bën me dije se iu ka ardhur në ndihmë shtetasëve në nevojë e atyre të pastrehë, të cilët po trajtohen me ushqim dhe fjetje në ambientet e Komisariatit të Policisë Dibër. Të gjithë inspektorët e policisë janë të shpërndarë në zonat që mbulojnë ku mbajnë kontakte të vazhdueshme me kryetarët e fshatrave dhe Administratorët e Njësive Administrative në të gjithë qarkun Dibër.

Policia Rrugore e mbështetur edhe nga Patrullat e Përgjithshme janë prezent në akset kryesore nacionale dhe akset që lidhen me njësitë administrative duke monitoruar lëvizjen e automjeteve si dhe për tju ardhur në ndihmë shtetasëve në nevojë si pasojë e borës dhe akullit. Policia e Qarkut Dibër këshillon që të evitohen lëvizjet në akset rrugore të disa njësive Administrative ku prezenca e borës dhe e akullit është më e shtuar. Për probleme emergjence banorët të telefonojnë në numrin 129 dhe Policia do tju vijë menjëherë në ndihmë.

Artikulli paraprakSHËNOHEN 60 VIKTIMA NGA MOTI I ACARTË NË EVROPË
Artikulli tjetërMICOV: RAMA, MILLOSHEVIÇI I RI I BALLKANIT!