Këshilli Kombëtar i Ujit ka bërë së fundmi një analizë për gjendjen e sigurisë së digave, duke kërkuar ndërhyrje urgjente ne 65 për qind të tyre.

Nga vlerësimet e bëra për gjendjen teknike të 626 digave, rezulton se 410 (ose 65% e numrit të përgjithshëm), paraqesin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente si për sa i takon sigurisë së digave ashtu edhe volumit të disponueshëm të ujit në rezervuarë. Në HEC Fierzë ka nevojë për ndërhyrje dhe riparime në agregatin nr.2.

Sipas të dhënave të KESH sha.a duhet që të bëhet një ndërhyrje për riparimin e rrjedhjeve të materialit bituminoz nga pjesa e jashtme e dhomës spirale tek agregati nr.2 dhe zëvendësimi i tij. Për këtë qëllim KESH ka hapur një tender në vlerën e 26.2 milionë lekë pa TVSH. Subjekti që do të shpallet fitues duhet që brenda 24 javëve të përcaktojë gjendjen aktuale tek secili agregat si dhe të marrë të gjitha masat për rregullimin dhe përmirësimin e situatës së tyre.

Gjatë viteve të shfrytëzimit të HEC Fierzë, janë kryer ndërhyrje në nyje të veçanta sidomos në sistemin e kushinetave pasqyrë të cilat më vonë u zëvendësuan me teknologji të prodhimit perëndimor (Voith Austri). Për rehabilitimin e HEC Fierzë janë shpenzuar 22 milionë euro ndër të cilat 17 milionë euro për pajisje elektromekanike dhe 5 milionë euro për punime civile.

Thatësira e tejzgjatur ka shteruar nivelin e liqenit të Fierzës, duke e çuar atë në nivelin e 269 metra mbi nivelin e detit. Kjo ka bërë që gati 80% e energjisë elektrike që hidhet në rrjet të importohet. Aktualisht deri më tani OSHEE ka shpenzuar rreth 52 milionë euro në total për blerjen e energjisë elektrike.

Artikulli paraprakZJARRET, PROKURORIA NIS HETIMET
Artikulli tjetërLEJET E GAZIT, “VELIPOJA” FORCON KRITERET