Tre automjete janë përfshirë nga flakët, ku dy prej tyre janë shkatërruar plotësisht pranë bashkisë së Kamzës.
Një automjet tip “smart” ka pësuar defekt në ecje ndërsa në momentin që ka ndaluar, makina ka shpërthyer në flakë. Si pasojë e flakëve të “smartit” janë djegur dhe dy automjete të tjera, makina e policisë bashkiake dhe makina tip Audi.
Nga djegia e automjeteve fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz vetëm dëme materiale.
Paraprakisht dyshohet problemi në motorin e automjetit “smart” që më pas ka shkaktuar dhe djegien e dy automjeteve të tjera.
Drejtuesi i mjetit I.H i pyetur nga policia ka deklaruar se tek rreth rrotullimi pranë sheshi kryesor të Kamzës ka ndjerë nxehtësi në makinë ndërsa më pas ka ecur për 50 metra, deri në momentin që ka dal tym nga makinë. Aty, ai ka pohuar se ka ndaluar në moment dhe ka dalë nga makina duke i shpëtuar lëndimit si pasojë e shpërthimit të makinës.
Forcave zjarrfikëse i janë dashur disa minuta për të arritur në vendngjarje si pasojë e trafikut të rënduar, duke bërë më pas të mundur shuarjen e flakëve. Flakët kanë përhapur shtëllunga tymi në të gjithë zonën, ndërkohë për pasojë është bllokuar për disa minuta edhe qarkullimi i automjeteve në këtë aks rrugor.