Flakë masive zjarri kanë shkrumbuar dy automjete, një pikë karburanti jashtë funksionit si edhe një restorant dhe pikë bastesh në fshatin Velitërnë të Korçës.
Shkak është bërë një ngjarje aksidentale, ku sipas të dhënave drejtuesi i një kamioni, i cili udhëtonte në drejtim të kryeqytetit, pas një udhëtimi të gjatë ka përfituar nga mundësia për t’u çlodhur në hapësirën jofunksionale të karburantit.
Mësohet se i lodhur nga rruga ai ka ndaluar kamionin në afërsi të pompave të karburantit dhe ka ndezur sistemin e ngrohjes para se të flinte, por automjeti është përfshirë nga flakët dhe madje edhe vetë drejtuesi ka marrë dëmtime.
Si pasojë e përhapjes së flakëve, dëmtime janë shënuar edhe në ambientet e lokalit i cili funksiononte si pikë bastesh dhe restorant dasmash. Nga flakët është djegur edhe një autoveturë e cila ndodhej e parkuar në afërsi të kamionit, ndërsa dëme të shumta ka pësuar edhe karburanti ku mësohet se janë djegur pompat dhe pajisje të tjera.
Policia po heton për ngjarjen e cila dyshohet se është aksidentale.