Dy automjete u dogjën natën e kaluar në qytetin bregdetar të Durrësit. Mjetet ishin parkuar në rrugën “Mujo Ulqinaku”, pranë kryqëzimit rrugor të stadiumit “Niko Dovana”.
Paraprakisht dyshohet për një zjarrvënie të qëllimshme te njëri prej automjeteve tip Benz, ai me targa AA 432 PL, ndërsa është dëmtuar dhe makina e parkuar pas saj.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së dielës, pas mesnate. Sipas burimeve policore, pronarët e mjeteve nuk janë persona me funksione publike, por kanë bizneset e tyre në zona të ndryshme nga ajo e banimit, “Lagjja 5” ku ndodhi ngjarja.
Aktualisht po hetohet për ndonjë konflikt të mundshëm të pronarit të mjetit të djegur plotësisht. Policia vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.