Një grua humbi jetën e djegur në autobusin që shpërtheu në flakë në qendër të qytetit të Krujës. Ngjarja ndodhi në orën 11 e 25 minuta, ndërsa 12 persona të tjerë, shumica gra, pësuan dëmtime të shumta nga flakët.
Tre prej të plagosurve janë në gjendje kritike, ndërsa 6 janë dërguar me urgjencë me helikopter në repartin e djegieve në QSUT, ku mbërritën në mesditë. Sipas policisë, por edhe dëshmitarëve, zjarri shpërtheu menjëherë në motorin e autobusit, i cili kishte vetëm një derë në pjesën e përparme të tij. Për shkak të flakëve e tymit dhe situatës kaotike të krijuar, shumë persona u dëmtuan rëndë, ndërsa një grua, humbi jetën nga plagët e shumta që mori. Në autobus ndodheshin 30 persona, shumica gra dhe drejtues të Kishës Ortodokse Shën Theodhori në Vlorë. Autobusi kishte për destinacion një vizitë turistike në Ulqin dhe gjatë rrugës kishin planifikuar një vizië në qytetin e Krujës.