Një zjarr i rënë në mënyrë të papritur në Shkodër, dogji brenda banesës shtetasin Kapllan Nasufi në lagjen “Liria”, pjesë e komunitetit egjiptian. 60 vjeçari në momentin që zjarri ra nga soba e druve që e kishte ndezur për t’u nxehur nuk arriti të dalë nga shtëpia. Ndërkohë bashkëshortja e tij Nafije Nasufi pësoi dëmtime të rënda ndërsa në 50% të trupit është e djegur dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Fqinjët e viktimës rrëfejnë se nga zjarri i madh nuk kanë mundur t’i japin ndihmë Kapllan Nasufit, trupi i të cilit u shkrumbua nga flakët. Ata pretendojnë se ambulanca shkoi me vonesë..
Ata tregojnë se kushtet e tyre ekonomike ishin shumë të vështira. Viktima që u dogj nga zjarri ka dy djem të martuar, ndërsa sipas fqinjëve 60 vjeçari punonte për pastrimin e qytetit.
Viktima Kapllan Nasufi ka rënë për të fjetur me bashkëshorten dhe përpara se të flinin kanë ndezur sobën me dru për ngrohje. Shtëpia mbulohej me katramah ndërsa soba nuk kishte tubat e vendosur duke bërë që nxehtësia të shkojë lart duke e kapur flakë tavanin dhe më pas gjithë banesën. Ndërhyrja e zjarrëfikësve nuk arriti që t’i shpëtojë jetën 60 vjeçarit.