Mjeti i një avokati në Tiranë është përfshirë nga flakët dhe djegur mbrëmjen e së dielës, ndërsa prej kohësh përdorej nga nëna e tij, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.
Burime pranë policisë bëjnë me dije se mjeti tip “Volksvagen Golf 6” rezultonte në pronësi të avokatit Loren Liço.
Mjeti ka qenë i parkuar poshtë pallatit ku jeton nëna e tij, gjyqtarja Arjana Liço, e cila e kishte edhe në përdorim. Nga kamerat e sigurisë janë vërejtur lëvizjet e një të riu që i afrohet mjetit “Volksvagen Golf 6” e në dorë mban një bidon plastik.
Ngjarja, e ndodhur në rrugën “Bajram Curri”, për policinë dyshohet të jetë e qëllimshme, ndërsa vijon hetimet për identifikimin e autorit. Si pasojë e flakëve, e dëmtuar mbeti edhe një mjet tip “Volksvagen Pasat”, i cili ka qenë i parkuar aty pranë.
Ndërkohë, grupi hetimor po verifikon nëse ngjarja ka ose jo lidhje me detyrën e gjyqtares, apo të djalit të saj avokat.