Mbrëmjen e sotme është përfshirë nga flakët duke u djegur makina e shefit të policisë në paraburgimin e Bradasheshit, Krenar Kasi .
Makina tip ‘Benz ML’ me targë AA 131 IX, që ka qenë e parkuar 100 metra nga drejtoria e policisë së Elbasanit, pranë ish-gjykatës kur u dogj. Nga të dhënat e para dyshohet se djegia e makinës është e qëllimshme dhe ka lidhje me detyrën e Kasit, edhe pse nuk ka pasur probleme apo konflikte.
Krenar Kasi disa vite më parë ka qenë shefi i sektorit të narkotikëve në drejtorinë e policisë së Elbasanit, më pas shef i policisë në burgun e Peqinit dhe së fundmi, shef i policisë në paraburgimin e Bradasheshit në Elbasan.
Policia ka nisur hetimet për ngjarjen e sotme, ndërsa ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve ku ka qenë parkuar makina për të shkuar në gjurmët e autorëve.