Një autoveturë tip “Ford Focus” me targë AA238CI është shkrumbuar totalisht ne rrugen e Shirokes.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e së hënës rreth orës 15:20 minuta në aksin rrugor Shirokë –Shkodër. Shkak dyshohet të jetë bërë një shkëndijë në rrjetin e kondicionimit të automjetit. Në momentin e ngjarjes, shoferi me iniciale P.P. po udhëtonte së bashku me 3 familjarë të tij kur ka konstatuar probleme në automjet. Pasi ka zbritur të kontrollojë ka vërejtur se në pjesën motorike nuk është shfaqur asnjë avari. Ndërkohë sapo është rikthyer të nisë automjetin, një shkëndijë elektrike ka nisur të djegë pjesën e brendshme. Fatmirësisht 4 personat që po udhëtonin kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë qëndruar në një distancë rreth 50 metër. Drejtuesi i autoveturës bëri me dije se kanë mjaftuar pak minuta që automjeti të shkrumbohet plotësisht, ndërsa gjatë djegies kanë ndodhur edhe disa shpërthime të vogla. Familjarët i janë frikësuar ndonjë shpërthimi me pasoja për shkak se automjeti funksiononte me lëndë djegëse benzinë. Zjarrfikësve që mbërritën në vendin e ngjarjes u janë dashur rreth 20 minuta deri në shuarjen totale të flakëve, pasi edhe një pjesë e malit pranë rrugës së Shirokës për pak minuta është përfshirë nga zjarri. Ndërkohë policia po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes që fatmirësisht përfundoi vetëm me pasoja materiale.