Një lokal është djegur mëngjesin e së dielës tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin. Lokali që është shkrumbuar nga flakët është në pronësi të Pjetër Prelës. Ky i fundit është personi i cili denoncoi skandalin me tokat tek ‘Rana e Hedhun’.
Kjo është hera e dytë që lokali në fjalë digjet nga flakët. Edhe herën e parë flaka në lokal ka rënë gjatë orëve të vona të natës. Për rastin e parë roja i lokalit deklaronte se zjarri ka qenë aksidental për shkak të një defekti në ekspres. Ndërsa për zjarrin e mbrëmjes së djeshme dyshohet se është bërë qëllimisht.
Në lidhje me skandalin e pronave tek Rana e Hedhun janë arrestuar disa zyrtarë të lartë bashkisë së Lezhës ndaj të cilëve gjyqet vijojnë edhe sot. Zyrtarët lokal të hetuar nga Prokuroria akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar afro 260 mijë m2 në zonën e plazhit, duke e kthyer në pronë private e më pas duke e shitur kundrejt vlerave të konsiderueshme monetare.