Situata problematike e shkaktuar si pasojë e temepraturave të larta të ditëve të fundit, ose e ndonjë dorë “dashamirëse”, vijon të jetë prezente në qarkun e Shkodrës.
Vatra të mëdha zjarresh kanë përfshirë edhe zonat afër qytetit, duke krijuar edhe panik tek banorët ku në disa raste janë rrezikur edhe banesat. Zonat më problematike mbeten ato me sipërfaqe të mëdha shkurrësh, ku flakët të favorizuara edhe nga era e fuqishme, nuk ka kyrsyer pothuajse asgje. Jo më shumë se 5 km larg qytetit, fshati Bleran ka kaluar orë ankthi gjatë këtyre ditëve.
Emergjencat civile bëjnë me dije se zjarri vijon edhe gjatë ditë së martë. Zjarrfikëset dhe forcat e ushtrisë janë duke punuar për të shuar plotësisht zjarrin. Për shkak të kushteve atmosferike ndërhyrja me anë të helikopterit dje ishte e pamundur. Sipas raportimeve të zjarrfikësve zjarri ka djegur rreth 15 ha me shkurre, ferra dhe pisha.
Në fshatin Vilëz, Shkodër, forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë po punojnë ende për të shuar zjarrin. Flakët kanë rrezikuar disa banesa të fshatit. Terreni dhe era e fortë e kanë vështirësuar së tepërmi punën e zjarrfikësve. Sipas raportimeve të forcave zjarrfikëse zjarri dogji rreth 8 ha me shkurre dhe ferra. Në ndihmë të zjarrfikësve është nisur edhe një helikopter për të ndërhyrë nga ajri.
Në fshatin Gruemirë, Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, hamullore dhe bimë medicinale. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre, hamullore dhe Sherebel. Edhe në Draçin të Shkodrës, zjarri ka rënë në kodrat e Tepes duke djegur sipërfaqe të konsiderueshme dhe duke rrezikuar edhe banesat.
Një banesë është djegur sot në fshatin Dardhë në Shosh të Shkodrës. Sipas informacioneve banesa në pronësi të shtetasit Dedë Zef Kosterit është djegur plotësisht. Fatmirësisht me ndërhyrjen e policisë dhe të forcave zjarrfikëse janë shpëtuar tetë anëtarët e familjes. Nuk dihet ende rrethanat si ka rënë zjarri në shtëpi.