Gjatë muajve të dimrit në rrugët e veriut të cilat një pjesë administrohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk do të ketë probleme. Një gjë të tillë e premton drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ergys Verdho i cili thotë se tashmë janë lidhur kontrat me firmat për mirëmbajtjen e akseve rrugore.
Gjatë 3 muajve të dimrit sipas drejtorit të përgjithshëm të ARRSH janë marrë masat e duhura për ta mirëmbajtur rrugët në standardet e që nevojiten pavarësisht reshjeve të borës, shiut apo rrëshqitjes së dherave që mund të kete.
Drejtori i ARRSH Verdho ka edhe një apel për firmat që kanë lidhur kontratat për të qenë në gatishmëri totale sepse supervizorët do të monitorojnë gjatë 24 orëve situatën.
Shkodra por edhe qytete të tjera të veriut gjatë dimrit përballen me vështirësi sa i përket akseve rrugore për shkak të reshjeve të dendura të borës në zonat malore, reshjet e shiut apo edhe herë pas here dalje të përrenjve apo rrëshqitje dherash.
Shpesh herë firmat kontraktuese nuk e kanë bërë punën siç duhet ndërsa këtë vit pritet që ARRSH të ketë një monitorim më të rreptë.