Disa gjyqtarë të Gjykatës së Lartë lënë përfundimisht mandatin
Pesë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë u ka mbaruar mandati dhe praktikisht, kjo gjykatë po shkon drejt bllokimit të punës së saj. Me anë të një njoftimi, bëhet me dije se u ka mbaruar mandati anëtarëve Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Arjana Fullani dhe Andi Çeliku. Por katër prej këtyre gjyqtarëve, përkatësisht Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, dhe Arjana Fullani në mënyrë individuale, kanë paraqitur një shkresë drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë, më të cilën e njoftojnë për dorëzimin e detyrës si anëtarë të Gjykatës së Lartë. “Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pas konstatimit të plotësimit të mandatit 9 vjeçar me datë 28.07.2017 të gjyqtarëve të sipërpërmendur si anëtarë të kësaj gjykate, vendosi deklarimin e mbarimit të mandatit për secilin prej tyre”, thuhet në njoftim. Sipas Gjykatës së Lartë, kreu i këtij institucioni ka njoftuar Presidentin e Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për vendimmarrjen e trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë lidhur me mbarimin e mandatit të këtyre gjyqtarëve. Sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit. Lidhur me dorëzimin e detyrës nga këta gjyqtarë, Kryetari i Gjykates se Lartë, më datë 31.07.2017 njoftoi edhe Presidentin e Republikës.