Disa persona janë shoqëruar dhe po merren në pyetje në lidhje me vrasjen e 34-vjeçarit Eri Zefi pasditen e djeshme (2 tetor) në Mirditë.
Sipas burimeve viktima është ekzekutuar në vendin ku është gjetur i vrarë, pikërisht në Zall Xhuxhe.
Dyshohet se ai është vrarë disa orë para se të gjendej i pajete nga një banor i zonës.
Eri Zefi njihej dhe me emrin Anton Zefi. Ai ishte me pasaportizim në Adriatik të Kurbinit, por jetonte në Durrës.
34-vjeçari ishte i martuar dhe babai i një fëmije.
Si ndodhi ngjarja
Ka qenë një banor i zonës i cili ka pikasur trupin e viktimës dhe menjëherë ka njoftuar policinë në lidhje me ngjarjen. Blutë e Mirditës u nisen menjëherë drejt vendit të ngjarjes dhe nisen hetimet, ndërsa trupi i pajetë i viktimës u dërgua në morgun e spitalit të Rrëshenit. Sipas burimeve, ai është është qëlluar me një plumb me kokë dhe dyshohet se ka gjetur menjëherë vdekjen.
Dyshimet e policisë janë se ai mund të jetë vrarë gjatë natës së kaluar, ndërsa ende nuk dihet nëse është ekzekutuar në vendin ku është gjetur apo mund të jetë sjellë i vrarë aty. Vendi ku u gjet viktima është zonë e pabanuar, çka vështireson punën e grupit hetimor për të zbardhur dinamikën e krimit. Ndërkohë në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë apo provë tjetër meteriale, çka hedh dyshime se autorët mund të kenë qenë vrasës profesionistë.
Ndue Zefi autori i vrasjes në Durrës, 24 shkurt 2019
Policia po heton pistën e vrasjes për hakmarrje, pasi viktima Eri Zefi rezulton të jetë vëllai i Ndue Zefit i cili në muajin shkurt të këtij viti ka vrarë fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca, ngjarje e ndodhur në qytetin e Durrësit.
Krimi ndodhi pas një sherri në lokal në sy të djalit 10-vjeçar të Martin Ndrecës. Pak ditë pas krimit të kryer, Ndue Zefi është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës dhe vijon të qëndrojë në burg në pritje të dënimit që do ti japë Gjykata e Durrësit.
Dy familjet Ndreca dhe Zefi ishin nga Mirdita dhe prej vitesh ishin zhvendosur me banim në qytetin e Durrësit. Hetimet e policisë janë përqëndruar pikërisht tek hasmëria mes dy familjeve, por nuk përjashtohet mundësia që 34-vjeçari të ketë patur ndonje konflikt tjetër, çka ka çuar në ekzekutimin e tij me armë zjarri.