Komisioni i disiplinës në federatën shqiptare të futbollit dënon me 8 ndeshje pezullim zëvendëstrajnerin e Vllaznisë Ilir Dibra. Nisur nga ndeshja e fundit e kuqebluve që u luajt përballë Partizanit, FSHF ka dënuar Dibrën për hyrjen e tij në fushën e lojës. “Zyrtari i KF “Vllaznia”, Ilir Dibra, për hyrje në fushën e lojës pa lejen e gjyqtarir dhe sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshje, dënohet me 8 ndeshje pezullim nga aktiviteti, bazuar në nenin 49/2 të kodit të disiplinës sportive”-thuhet në vendimin e marrë.

Tashmë në ndeshjet e ardhshme trajneri i Vllaznisë Luan Zmijani do të jetë i vetëm në pankinë pa ndihmësin e tij Ilir Dibra për shkak të këtij vendimi të FSHF. Po ashtu Komisioni i Disiplinës në FSHF ka marrë masë ndëshkuese edhe ndaj ekipit tjetër të Superligës që i përket qarkut Shkodër, siç është Tërbuni i Pukës. Klubi pukjan është gjobitur me një shumë prej 30 mijë lekësh të reja për hedhjen e mjeteve në fushë. “KF Tërbuni, për hedhje të mjeteve ndezëse në fushën e lojës, dënohet me një gjobë me vlerë 30 mijë lekë të reja bazuar në nenet 65/1 dhe 66/1 të kodit të disiplinës”- bëhet e ditur në atë vendim. Ndërkohë që një gjobe monetare nuk i ka shpëtuar as ekipi i kategorisë së parë, Ada e Velipojës. Në ndeshjen e parë përballë Ilirisë që u mbyll në barazim 2-2, sipas FSHF Ada ka dështuar në përmbushjen e disa përgjegjësive përsa i përket organizimit të asaj ndeshjeje. Ndaj disiplina vendosi: “KF Ada Velipojë për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dënohet me gjobë me vlerë 15 mijë lekë të reja bazuar në nenet 65/1 dhe 136/1 të kodit të disiplinës sportive”. Tashmë 3 klubet, Vllaznia për pezullimin me 8 ndeshjes të zëvendëstrajnerit Ilir Dibra, Tërbuni i Pukës për gjobën prej 30 mijë lekësh të reja dhe Ada e Velipojës për gjobën prej 15 mijë lekësh të reja kundër këtyre vendimeve kanë të drejtë që brenda tre ditëve të bëjnë ankim në komisionin e apelit për të zbutur ose për të hedhur poshtë këto masa ndëshkuese.

Artikulli paraprakBOKS, GJONI: DUAM TITULLIN E 20 KAMPION KËTË VIT
Artikulli tjetërGJERMANI PEZULLON SHENGENIN PËR EMIGRANTËT