Studentët hyjnë sot në ditën e 12-të të protestës para Kryeministrisë. Një grup ‘simbolik’ ka kaluar natën jashtë para Kryeministrisë. Pas 12 ditësh, ende nuk ka një sinjal për të hapur dialogun me qeverinë.
Kryeministri Edi Rama, ka përsëritur këto ditë, disa herë, rëndësinë që ka për realizimin e kërkesave të studentëve, dialogu. Dje studentët protestuan dhe kërkuan që Kuvendi të mblidhej në orën 16:00 për të miratuar kërkesat e tyre.
Me kalimin e afatit, studentët kanë ftuar të gjithë qytetarët në një protestë kombëtare, me përjashtim të partive politike. Rama kërkon dialog me studentët, madje ka premtuar edhe më shumë sesa 8 kërkesat e vendosura prej tyre.
Rama lëshoi dy ditë më parë paralajmërim edhe për dekanët dhe rektorët, kur tha se qeveria do rishikojë autonominë universitare (Lexo këtu). Ndërkohë studentët janë të palëkundur nga qëndrimi i tyre për plotësimin e 8 kërkesave që i kanë drejtuar qeverisë.